Last Updated on 02/08/2025 by adminfjala

Nga Leonard Veizi
Kodi i ri Penal, i prezantuar së fundmi si draft nga qeveria, ka ndezur debate të forta mes juristëve, gazetarëve dhe qytetarëve të angazhuar publikisht. Në thelb të polemikës nuk qëndrojnë vetëm ndryshimet e propozuara, por fryma që i përshkon ato: një kthesë e rrezikshme drejt ngurtësimit moral dhe kufizimit të fjalës së lirë.
– E di ti kujt i thonë Kod Penal, apo s’e di?
– Jo, zoti kryetar.
– Si more nuk e di? Ja ky është, e shikon? Ky është si kurani, more qafir. Këtë ta puthësh, se ky e rregullon miletin. E ka bërë lartmadhnia vet, mbreti Zog reformator, që po cfilitet për të mirën tuaj. T’ju sjellë në din, t’ju bëjë si turqit e sotëm, more qafir!
Kjo skenë groteske, – e huazuar nga filmi “Koncert në vitin ‘36” – me rrënjë në realitetin e largët, është gjithnjë e më e zëshme. Sepse për autorët e draftit të ri, Kodi Penal nuk është më një mjet për të garantuar rendin e drejtësinë, por një platformë edukimi moral. Një mision për të ndrequr mendjet e prishura nga memet, sarkazma, postimet pa filtër dhe gazetaria investigative që nuk pyet.
Duke e portretizuar ligjin si një dogmë të padiskutueshme dhe jo si një marrëveshje qytetare, qeveria aktuale shpall fundin e epokës së debatit dhe fillimin e një epoke të re: ajo e “kodifikimit të mirësjelljes kombëtare”. Ndaj, nuk është çudi që shprehje si “Kodi nuk lexohet, nuk interpretohet, por zbatohet” janë bërë moto. Por nëse ligji zbatohet verbërisht, pa u kuptuar apo kontestuar, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një shtet demokratik, por me një rend autoritar.
Liria që ftohet të heshtë
Në një klimë të tillë, liria e shprehjes kthehet nga një e drejtë kushtetuese në një rrezik për “stabilitetin moral të shtetit”. Ndëshkimi i fjalës së lirë, satirës dhe gazetarisë kritike zë vend përkrah krimeve reale, ndërsa humori i pakontrolluar bëhet një “shkelje penale”.
-Nesti Bënja. Kam urdhër të vish pas meje.
-Si është puna zoti xhandar? Çfarë kam bërë?
-Ore shumë fjalë ke ti. Më urdhëruar. Qeveria ka halle.
Dhe Nesti, po tek filmi “Koncert në vitin ‘36”, i kishte dhënë shumë gojës. Edhe lapsit. Shkruante pamflete për revistën Bota e Re, ku vinte në dukje të metat në qeverisjen lokale. Shkruante aq sa për të kujtuar se fjala mund të ishte më e fortë se çdo nismë ligjore.
– Neni 503, 504, 506… ju i dini apo i keni harruar? Kodi Penal. I thoni tellallit tua kujtojë!, – arriti t’u tërhiqte vëmendjen për kujtesë e kujdes, Nesti Bënja, i kapur prej krahësh nga xhandarët.
E ardhmja me sy të mbyllur dhe gojë të kyçur
Në logjikën e draftit të ri, fjala e lirë është e lejuar… por me zë të ulët, me kujdes, me vetëkontroll. Madje në praninë e një juristi, për siguri. Nuk është më liri kjo, por autocensurë e institucionalizuar. Ky kod i ri, në dukje teknik, në thelb është një platformë e re për të ndryshuar sjelljen publike, duke zëvendësuar guximin me frikën, humorin me ndrojtjen, mendimin e lirë me miratimin e heshtur.
-Mos u shpejtoni të nxirni përfundime shoqja Besa. Dhe tani dëgjomëni me vëmendje. Kodi Penal, ka një nen tepër interesant për ata që humbasin dokumenta me vlerë. 20 vjet burg… – i bënte shantash Marko Rovina, si usta i regjur i spiunazhit, Besës që ishte sekretare e shokut Agim, njeri me peshe në industrinë ushtarake, pikërisht tek filmi “Fijet që priten”.
Ligji si mik e si armik
Përgjigja për pyetjen “Ku po shkojmë kështu?” është e thjeshtë: Po shkojmë drejt një shoqërie ku ligji nuk mbron, por frikëson. Ku çdo buzëqeshje e shtrembër ndaj ndonjë figure publike interpretohet si atentat ndaj moralit të shtetit. Po shkojmë drejt së ardhmes “me sy të mbyllur dhe gojë të kyçur”, ku çdo mendim i lirë vlen sa një krim, e çdo gazetë kritike rrezikon të shndërrohet në objekt hetimi.
A është kjo e ardhmja që duam?
Nëse jo, mos ia lini tellallit t’ua kujtojë nenet. Lexojini vetë. Kundërshtoni vetë. Sepse ndryshe, do t’ju lexojnë ata: me penë ndëshkuese në dorë.
