Nëntë migrantë vdiqën duke u përpjekur të notonin nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceutës, ku qindra njerëz mbërritën ilegalisht sot, tha përfaqësia e qeverisë spanjolle në territorin në bregdetin verior të Afrikës.
“Nëntë trupa” migrantësh u gjetën”, tha një zëdhënës i delegacionit qeveritar, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Mbi 1 500 migrantë kanë mbërritur gjatë javës së fundit në territorin spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut, shumica duke notuar nga Maroku fqinj, njoftuan autoritetet spanjolle.
Ceuta, e vendosur në bregdetin mesdhetar të Marokut, është një nga dy territoret spanjolle në Afrikën e Veriut dhe prej vitesh konsiderohet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve afrikanë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas transmetuesit publik spanjoll RTVE dhe mediave lokale, vetëm në orët e fundit qindra persona të tjerë kanë mbërritur në territor, duke rritur ndjeshëm presionin mbi autoritetet vendore.
Përballë kësaj vale të re migrimi, presidenti rajonal i Ceutës, Juan Jesús Vivas, i bëri thirrje qeverisë qendrore spanjolle të shpallë gjendje emergjente për arsye të sigurisë kombëtare dhe të dislokojë ushtrinë në kufirin me Marokun./mxh
