Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Sadleva Bodo ka marrë zyrtarisht detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion.
Juristja vjen në krye të sistemit penitenciar pas rreth pesë vitesh angazhim në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ku ka ushtruar funksionin e këshilltares ligjore të drejtuesve të institucionit.
Përpara se t’i bashkohej BKH-së, Bodo mbajti një pozicion drejtues në Ministrinë e Brendshme. Nga maji i vitit 2018 deri në gusht të vitit 2021, ajo drejtoi Drejtorinë e Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës.
Gjatë kësaj periudhe, ajo punoi në administratën publike, ndërsa në gusht të vitit 2021 kaloi në Byronë Kombëtare të Hetimit, ku vijoi karrierën e saj në fushën ligjore. Në BKH, ajo shërbeu fillimisht gjatë drejtimit të Aida Hajnajt dhe më pas nën drejtimin e Joni Ketës.
E lindur më 29 janar 1988, Sadleva Bodo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2010. Ajo ka ndjekur gjithashtu studime pasuniversitare në Wayne State University, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në Universitetin e Maastricht-it, në Holandë.
Përveç përvojës në institucionet shtetërore, prej dhjetorit të vitit 2022 ajo është anëtare e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
Emërimi i Bodos vjen pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, i cili qëndroi rreth shtatë muaj në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në detyrën e re, Bodo do të jetë përgjegjëse për drejtimin e sistemit penitenciar, përfshirë funksionimin e institucioneve të vuajtjes së dënimit, sigurinë dhe zbatimin e vendimeve penale.
Kalimi nga një strukturë e posaçme e hetimit në drejtimin e Burgjeve shënon një tjetër etapë në karrierën e saj në administratën publike dhe në institucionet e drejtësisë./ad
