Last Updated on 22/09/2026 by EL
Nga Elbasani në Peqin, bashkë me Durrësin, Lushnjën e Patosin, për të vijuar në Vlorë, Delvinë e Finiq… Në 15 bashki të vendit do të nisë regjistrimi fillestar i pronave.
Në Agjencinë e Prokurimit Publik është çelur tenderi me vlerë 337.6 milionë lekë, ose rreth 3.5 milionë euro, për zhvillimin e këtij procesi.
“Në pamundësi të burimeve njerëzore dhe kohës në dispozicion, procedura do të bëhet nga privati. Kjo është një ndërhyrje e gjerë teknike, që kërkon ekspertizë të specializuar dhe kapacitete që institucionet nuk i kanë aktualisht në masën e nevojshme.”
Kompanitë që do të fitojnë tenderin do të duhet të realizojnë punime topografike, përgatitjen e hartave, mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave kadastrale të pasurive, digjitalizimin e informacionit mbi pronat, kontrollin e cilësisë së të dhënave, arkivimin e tyre, si dhe përpunimin e të dhënave gjeohapësinore. Ky proces lidhet edhe me detyrimet që rrjedhin nga negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Është pjesë e kapitujve të negociatave mbi pronësinë dhe përbën një nga proceset që Shqipëria duhet ta çojë përpara për të harmonizuar sistemin e saj me standardet evropiane. Pa një bazë të plotë dhe të besueshme të të dhënave, zgjidhja e problematikave të pronësisë mbetet e vështirë.”
Regjistrimi fillestar është një proces me rëndësi të veçantë për administrimin e pronës në Shqipëri, pasi synon të krijojë një pasqyrë të plotë dhe të formalizuar të pasurive të paluajtshme dhe të të drejtave mbi to. Një regjistrim i saktë dhe i përditësuar ndihmon në qartësimin e kufijve dhe statusit juridik të pronave, reduktimin e pasigurive dhe konflikteve, si dhe në përmirësimin e shërbimeve kadastrale.
“Ky proces është shumë i rëndësishëm edhe për qytetarët, sepse një pasuri e regjistruar dhe e dokumentuar qartë ka më shumë siguri juridike. Në praktikë, kjo ndikon edhe në transaksionet, investimet dhe mundësinë për ta përdorur pronën në mënyrë të ligjshme dhe të sigurt.”
Në një vend si Shqipëria, ku çështjet e pronësisë dhe dokumentacioni kadastral kanë qenë prej vitesh një problem kompleks, përfundimi i regjistrimit fillestar në zona të ndryshme të territorit përbën një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më të rregullt dhe më transparent të administrimit të pronës. /et
