Një 25-vjeçar nga Elbasani është arrestuar në Shkodër, pasi dyshohet se shiste kokainë dhe kanabis në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave dhe në ambiente të ndryshme të qytetit.
I riu, me inicialet E. H., është kapur në flagrancë në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkolla të Pastra”, që synon goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore.
Gjatë kontrollit fizik, efektivët e policisë i kanë gjetur 25-vjeçarit dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Policia nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të dozave të sekuestruara dhe as shkollat pranë të cilave dyshohet se ushtronte aktivitetin e paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme./k.m
