Publikimi nga qeveria amerikane i më shumë se 3 milionë dokumenteve që lidhen me të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, ka ngritur pyetje të reja rreth lidhjeve të tri figurave të shquara në jetën publike britanike me financierin e ndjerë.
Ish-Princi Andrew, ish-gruaja e tij Sarah Ferguson dhe Peter Mandelson, ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, janë të përmendur disa herë në dosjet e fundit të Epstein, duke rritur presionin mbi treshen për të shpjeguar lidhjet e tyre me abuzuesin dhe për t’u distancuar nga institucionet britanike.
Kryeministri Keir Starmer i ka kërkuar Andrew Mountbatten-Windsor të dëshmojë para Kongresit të SHBA-së, ndërsa Mandelson, i cili dha dorëheqjen nga Partia Laburiste të dielën, po përballet me thirrje nga figura kryesore politike, përfshirë kreun e qeverisë britanike, për t’u tërhequr nga Dhoma e Lordëve.
Ja se si po e skandalizon Britaninë publikimi i fundit i dosjeve nga Departamenti i Drejtësisë:
Andrew Mountbatten-Windsor
Ish-Princi Andrew është përpjekur për vite me radhë t’u shmanget pyetjeve në lidhje me lidhjet e tij me Epstein. Në një intervistë me “BBC” në vitin 2019, Andrew pretendoi se kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me Epstein në vitin 2010, pas dënimit të financierit në vitin 2008 për prostitucion.
E-mailet e zbuluara vitin e kaluar e vunë në pikëpyetje pretendimin e Andrew-t. Mediat britanike raportuan se Andrew duket se e kontaktoi përsëri Epstein-in në vitin 2011, duke i thënë atij të “mbante kontakt të ngushtë” dhe se ata ishin “së bashku në këtë”. Menjëherë pas kësaj, Mbreti Charles III i hoqi Andrew-t, vëllait të tij, titujt mbretërorë në tetor dhe filloi procesin për ta dëbuar atë nga prona mbretërore në Windsor.
Por publikimi më i fundit i dosjeve të Epstein ka nxitur shqyrtime të mëtejshme mbi ish-princin. Tri foto pa datë duket se tregojnë Andrew Mountbatten-Windsor, mbi atë që duket të jetë një grua-fytyra e së cilës është mbuluar – e cila është shtrirë në dysheme. Nuk është e qartë se kur ose ku janë bërë imazhet, pasi nuk u dha asnjë detaj apo kontekst për fotografitë së bashku me dokumentin e publikuar.
Dokumentet e fundit të Epstein përmbajnë gjithashtu një shkëmbim email-esh midis Epstein dhe Andrew në gusht 2010, në të cilin financuesi fton familjen mbretërore të takohet me një “mikeshë” – emri i së cilës nuk dihet – për darkë në Londër.
Në nëntor, demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan që Andrew të vinte në Uashington për të dhënë dëshmi si pjesë e hetimit të panelit për Epstein. Edhe pse Andrew nuk iu përgjigj kërkesës, Starmer të shtunën i kërkoi ish-princit të pranonte marrjen në pyetje.
Sarah Ferguson
Ish-gruaja e Andrew, Sarah Ferguson, e njohur si “Fergie”, përmendet gjithashtu disa herë në serinë e fundit të dosjeve. Ferguson u hoq vitin e kaluar si mbështetëse ose ambasadore e disa organizatave bamirëse britanike, pasi dokumentet e mëparshme treguan se ajo e kishte quajtur Epstein “mikun e saj suprem”.
Dokumentet e fundit janë dëshmi të mëtejshme të nivelit të marrëdhënies së tyre. Emailet mes dyshes duket se sugjerojnë gjithashtu se Epstein donte ta përdorte Fergusonin për të ndihmuar në pastrimin e emrit të tij.
Në vitin 2001, dokumentet e publikuara së fundmi duket se tregojnë se Epstein i dërgoi ish-Dukeshës 150,000 dollarë pasi e ndihmoi të arkëtonte opsionet e aksioneve që fitoi nga puna e saj për Weight Watchers.
Peter Mandelson
Mandelson, i njohur gjerësisht në politikë si “Princi i Errësirës” për qasjen e tij makiaveliane ndaj pushtetit, u shkarkua nga detyra e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Uashington në shtator për shkak të skandalit të lidhjeve të tij me Epstein. Atë muaj, ligjvënësit amerikanë kishin publikuar një “libër”, të përpiluar për 50-vjetorin e Epstein në vitin 2003, në të cilin Mandelson shkroi një shënim të shkruar me dorë duke e përshkruar financierin si “shokun më të mirë”.
Dokumentet e fundit kanë treguar se Mandelson duket se i ka zbuluar Epstein-it plane të ndjeshme tatimore të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Ato gjithashtu tregojnë se partneri i tij, Reinaldo Avila da Silva, merrte rregullisht pagesa të pazbuluara prej tij.
Në shtator të vitit 2009, Da Silva – i cili u martua me Mandelson në vitin 2023 pas tri dekadash bashkë – i dërgoi një e-mail Epstein për të kërkuar 10,000 paund për të ndihmuar në financimin e kursit të tij të osteopatisë. Epstein u përgjigj: “Do ta transferoj shumën menjëherë.”
Dosjet e fundit zbuluan gjithashtu se Mandelson i kishte zbuluar financierit një dokument të ndjeshëm të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa ishte sekretar biznesi në vitin 2009. Memorandumi, i shkruar për kryeministrin e asaj kohe, Gordon Brown, mbështeste shitjen e aseteve prej 20 miliardë paundësh për të ndihmuar në lehtësimin e barrës së borxhit të Britanisë pas krizës financiare të vitit 2008 dhe zbuloi planet e politikës tatimore të Partisë Laburiste.
Të dielën, Mandelson, i cili është gjithashtu anëtar i Dhomës së Lordëve, njoftoi dorëheqjen e tij nga Partia Laburiste, duke thënë se nuk donte t’i shkaktonte partisë “turp të mëtejshëm” për shkak të kësaj historie. Ai gjithashtu u kërkoi falje “grave dhe vajzave, zërat e të cilave duhej të ishin dëgjuar shumë kohë më parë”. “CNN” nuk mundi të kontaktonte Mandelson-in për komente të mëtejshme.
Mandelson ka qenë në pushim nga Dhoma e Lordëve që nga shkurti i vitit të kaluar, për t’i lejuar atij të shërbejë si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA. Të hënën, një zëdhënës i Downing Street tha se Starmer beson se Mandelson duhet t’i hiqet titulli “Lord”. /Marrë nga “CNN”/kb
