Kryeministri i Hungarisë ka zhvilluar një sulm sistematik ndaj mediave të pavarura. Paralelet me SHBA-në janë shqetësuese.
Amrit Singh*
Gjatë fjalimit të tij për gjendjen e kombit në fillim të këtij viti, kryeministri hungarez Viktor Orbán paraqiti një vizion alarmues për të ardhmen e vendit. Duke sinjalizuar një nivel të ri agresiviteti në fushatën e tij kundër së vërtetës, në rast se rikthehet në pushtet pas zgjedhjeve të 12 prillit, Orbán premtoi të “pastrojë” vendin nga “gazetarët e blerë” dhe “organizatat e rreme të shoqërisë civile”.
Represioni ndaj medias nuk është vetëm problem hungarez. Sipas Institutit V-Dem në Suedi, një nga monitoruesit kryesorë të demokracisë, ai është arma më e përdorur në arsenalin autoritar. Raporti i fundit i tij thekson se demokracia në SHBA ndodhet në nivelin më të ulët që nga vitet 1960, e shënuar nga një rënie e ndjeshme e lirisë së medias.
Në shkurt, Donald Trump mbështeti Orbán për rizgjedhje. Duke e krahasuar me veten, Trump e quajti atë “një lider vërtet të fortë dhe të fuqishëm” që ka arritur “rezultate fenomenale”. Por presidenti amerikan nuk është mjaftuar me lavdërime – ai ka marrë elemente nga manuali autoritar i Orbán-it duke kufizuar lirinë e medias.
Trump po ndjek modelin e Orbán-it për shtypjen e medias brenda vendit. Një raport i përbashkët i Laboratorit për Sundimin e Ligjit në NYU dhe organizatës hungareze Mérték Media Monitor nxjerr në pah paralelet, duke dokumentuar sulmet sistematike të Orbán-it ndaj mediave të pavarura gjatë 16 viteve në pushtet.
Të dy liderët tregojnë armiqësi ndaj gazetarëve të pavarur, duke përdorur shpesh gjuhë çnjerëzore për t’iu referuar atyre. Në Hungari, Orbán i ka cilësuar mediat e pavarura si “fabrika lajmesh të rreme” dhe gazetarët – së bashku me gjyqtarë, politikanë rivalë dhe organizata që ai i quan “të rreme” – si “insekte të qelbura” që duhen zhdukur. Trump ka përdorur një retorikë të ngjashme, duke i quajtur mediat kritike “prodhues lajmesh të rreme” dhe “armiq të popullit”, ndërsa ndaj gazetareve femra ka përdorur etiketime fyese si “derrkuc”, “e shëmtuar” dhe “budallaqe”.
Të dy liderët gjithashtu u mohojnë mediave aksesin, duke penguar raportimin e pavarur. Qeveria e Orbán-it përjashton rregullisht gazetarët e pavarur nga aktivitetet qeveritare, konferencat për shtyp dhe institucionet publike. Në prag të zgjedhjeve, disa gazetarë janë larguar me forcë nga aktivitetet e fushatës.
Administrata Trump ndaloi Associated Press nga hyrja në Zyrën Ovale dhe në Air Force One, pasi refuzoi ta quante Gjirin e Meksikës “Gjiri i Amerikës”. Pasi një gjykatë vendosi se kufizimet ndaj gazetarëve në Pentagon ishin të paligjshme, administrata mbylli zyrat e medias në ndërtesë për të anashkaluar vendimin.
Kur përjashtimi nuk mjafton për të heshtur median, të dy liderët përdorin ligjin si armë. Muajin e kaluar, pas një raportimi investigativ që implikonte ministrin e jashtëm hungarez në rrjedhje informacioni drejt Rusisë – akuza që ai i mohoi – qeveria hungareze ngriti padi penale për spiunazh ndaj gazetarit.
Në vitin 2024, qeveria hungareze nisi hetim ndaj medias së pavarur Átlátszó në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Sovranitetit, që synon entitete të dyshuara se i shërbejnë “interesave të huaja”, edhe pse Komisioni Evropian kishte hapur procedurë shkeljeje ndaj këtij ligji.
Aleatët e Orbán-it kanë ngritur padi të shumta të kushtueshme kundër mediave të pavarura për t’i rraskapitur financiarisht. Edhe Trump ka përdorur këtë strategji, duke ngritur padi me shuma marramendëse ndaj mediave si ABC News, New York Times, Wall Street Journal dhe BBC.
Në mandatin e tij të dytë, janë shtuar rastet e arrestimit apo ndalimit të gazetarëve, shpesh me dhunë. FBI kontrolloi shtëpinë e një gazetari të Washington Post, ndërsa një ish-gazetar i CNN u arrestua me akuza të dobëta lidhur me raportimin e tij për një protestë.
As Orbán dhe as Trump nuk janë mjaftuar vetëm me gazetarët. Ata kanë vënë në shënjestër edhe institucionet rregullatore. Orbán, pasi mori pushtetin në vitin 2010, ndryshoi ligjet për median duke vendosur njerëz besnikë në autoritetin rregullator. Një nga rastet më flagrante ishte heqja e licencës së radios së pavarur Klubrádió – vendim që më pas u shpall shkelje e ligjit të BE-së.
Në vitin 2018, mbi 470 media pro-qeveritare u bashkuan në një fondacion të vetëm, duke anashkaluar rregullat e konkurrencës. Ndërkohë, media publike u kthye në mjet propagande. Nga viti 2010 deri në 2025, Hungaria ra nga vendi i 23-të në të 68-in në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Sot, sipas Reporterëve pa Kufij, partia Fidesz e Orbán-it kontrollon drejtpërdrejt ose tërthorazi rreth 80% të medias në Hungari.
Ndërsa SHBA nuk ka arritur ende këtë nivel kontrolli, administrata Trump po ndjek një strategji të ngjashme përmes drejtuesve të institucioneve rregullatore, duke konsoliduar ndikimin mbi median me një shpejtësi shqetësuese.
Megjithatë, edhe në Hungari, media e pavarur ka mbijetuar, falë besimit të publikut dhe modeleve të reja financimi. Ndërsa hungarezët shkojnë drejt zgjedhjeve, amerikanët dhe evropianët që vlerësojnë lirinë e shtypit duhet të jenë vigjilentë. Nëse armiqtë e saj po mësojnë nga njëri-tjetri, edhe mbrojtësit e saj duhet të bëjnë të njëjtën gjë.
*Amrit Singh është profesoreshë praktike dhe drejtuese themeluese e Laboratorit për Sundimin e Ligjit në Shkollën e Drejtësisë në NYU.
