Nga Leonard Veizi
Gjatë një prej vizitave të mia në Nju-Jork, pata mundësinë të ngjitesha në majën e One World Trade Center, ndërtesës së re që u ngrit mbi vendin ku dikur qëndronin Kullat Binjake. Përvoja nisi që në ashensor. Ndërsa ai ngjitej me shpejtësi marramendëse, muret përreth shndërroheshin në një ekran gjigant tredimensional, ku shfaqej panorama e Manhatanit, me rrokaqiejt e tij që ngriheshin njëri pas tjetrit, sikur qyteti të ndërtohej para syve të mi. Brenda pak çastesh, pothuajse pa e ndier udhëtimin, u gjenda në katin e 101-të, në një lartësi nga ku Manhatani dukej si një maket gjigant, i shtrirë në këmbët e mia…
Por kjo ndërtesë nuk është thjesht një pikë vrojtimi mbi qytetin. Ajo mbart një histori që shkon përtej arkitekturës dhe inxhinierisë. Në zemër të Manhatanit, aty ku sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 lanë një nga plagët më të rënda në historinë amerikane, u ngrit një simbol i ri i ringritjes. One World Trade Center, i njohur gjithashtu si Freedom Tower, nuk u ndërtua për të fshirë kujtesën e tragjedisë, por për të dëshmuar se qyteti nuk do të mbetej peng i saj.
Më 3 nëntor 2014, ndërtesa nisi zyrtarisht veprimtarinë, duke shënuar një etapë të rëndësishme në rindërtimin e kompleksit të ri të Qendrës Botërore të Tregtisë. Me 541 metra lartësi deri në majën e saj, ajo u bë ndërtesa më e lartë në Shtetet e Bashkuara dhe një nga simbolet më të dallueshme të Nju-Jorkut.
Kështu, mbi vendin ku dikur qëndronin dy kullat e shkatërruara, Manhatani fitoi një tjetër rrokaqiell. Por këtë herë lartësia e tij matet jo vetëm me metra, por edhe me peshën e historisë që mbart.
1776 këmbë lartësi
Për tetë vite, mbi tokën e shenjtë ku dikur qëndronin Kullat Binjake, u derdhën ëndrra, djersë dhe një investim prej 4 miliardë dollarësh. Gradaçela u ngrit, duke sfiduar gravitetin dhe duke dëshmuar se asnjë sulm nuk mund ta shkatërrojë shpirtin njerëzor.
Lartësia e saj – 541 metra ose 1776 këmbë (feet) – nuk është thjesht një shifër rekordi; është një kod simbolik. Një homazh ndaj vitit 1776, kur u firmos Deklarata e Pavarësisë Amerikane, duke e bërë ndërtesën një shenjë vertikale të lirisë dhe rezistencës. Nju Jorku, dhe Amerika e gjithë, jo vetëm që rikuperuan, por u ngritën më lart dhe më fuqishëm se kurrë.
Me sytë nga e ardhmja
E projektuar nga “David Childs i Skidmore”, “Owings & Merrill”, Qendra Botërore e Tregtisë Një është ndërtesa më e lartë në Shtetet e Bashkuara, ndërtesa më e lartë në Hemisferën Perëndimore dhe e shtata më e lartë në botë. Struktura super e lartë mban të njëjtin emër si Kulla Veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë origjinale, e cila u shkatërrua në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Ky kolos modern, i pajisur me teknologji të avancuar sigurie dhe dizajn magjepsës, nuk është thjesht një qendër biznesi. Ai mban mbi supe një barrë më të shenjtë: kujtesën.
Ngrihet si një vëzhgues i përhershëm i Memorialit Kombëtar të 11 Shtatorit, pranë dy pishinave të thella që shënojnë gjurmët e Kullave Binjake të rëna. Beton, çelik dhe xham nuk e fshehin dhimbjen; ata e mbajnë atë. Për vizitorët që ngjiten në observatorin e tij, pamja panoramike e Manhattanit nuk është thjesht atraksion turistik, por një përkujtim i largësisë së kaluar dhe i pamposhtshmërisë së dëshirës për jetë dhe liri.
Inagurimi i “World Trade Center One” apo siç vjen në shqip “Qendrës Botërore të Tregtisë Një” shënoi një çast historik për Nju Jorkun dhe për botën. Ajo dha një mesazh të qartë: aty ku dhimbja la hije, u ngritën themele të reja. Pas errësirës, u shfaq një vizion i qartë për të ardhmen, i lidhur përgjithmonë me betimin për lirinë dhe nderimin për të kaluarën.
