Një aksident tragjik me motoçikletë i ka marrë jetën influencuesit të njohur Liam Fitzgerald, në moshën 29-vjeçare. Ai ka ndërruar jetë në Miami, pasi pësoi lëndime të rënda në një aksident të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 30 tetorit.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga e dashura e tij, Jamie Lyn Rinaldi, përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë dhimbjen për humbjen e parakohshme të partnerit.
Sipas saj, aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit. Pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, Fitzgerald nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Deri më tani, rrethanat e plota të aksidentit nuk janë bërë publike.
Fitzgerald ishte një figurë e njohur në rrjetet sociale, ku numëronte më shumë se një milion ndjekës në Instagram. Ai ishte i njohur për përmbajtjet që publikonte rreth fitnesit, modës dhe financave, ndërsa kishte krijuar gjithashtu një profil në platformën OnlyFans.
I lindur në Evansville, Wisconsin, ai ishte zhvendosur fillimisht në Arizona, përpara se të niste një kapitull të ri të jetës në Miami, në moshën 24-vjeçare.
Në një intervistë për revistën “Inked”, të dhënë në shkurt të këtij viti, influencuesi kishte folur për dëshirën e tij për të frymëzuar dhe ndihmuar të tjerët të arrinin objektivat personale, qoftë në fitnes apo në ndërtimin e një brendi.
Përveç pasionit për ushtrimet fizike, Fitzgerald ishte i apasionuar edhe pas motoçikletave, të cilat i shfaqte shpesh në publikimet e tij në rrjetet sociale.
Pas lajmit për vdekjen e tij, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi nga miq, ndjekës dhe krijues të njohur të përmbajtjeve.
Mes tyre, modeli i fitnesit JT Reinhard ka kujtuar Fitzgerald-in, duke ndarë edhe përvojën e tij me një aksident të rëndë. Ai ka paralajmëruar gjithashtu për rreziqet që lidhen me drejtimin e motoçikletave.
Humbja e parakohshme e 29-vjeçarit ka tronditur komunitetin e krijuesve të përmbajtjeve, ndërsa fansat e tij po i kushtojnë homazhe në rrjetet sociale./k.m

