Nga Leonard Veizi
Më 9 gusht 1048, në qytetin antik të Palestrinës, në kodrat jashtë Romës, u shua një nga pontifikatet më jetëshkurtra në historinë e Kishës Katolike. I lindur si Poppo von Brixen, peshkop i Brixenit në Tirol, ai ishte ngjitur në fronin e Shën Pjetrit vetëm 23 ditë më parë, më 17 korrik 1048, me emrin Damasus II. Ngritja e tij nuk ishte një zgjedhje romake, por një vendim perandorak. Perandori i Shenjtë Romak, Heinrich III, i vendosur për të pastruar një papat të zhytur në shitblerje detyrash, korrupsion dhe anarki politike, e kishte dërguar njeriun e tij besnik për të stabilizuar Romën. Damasus II nuk pati kurrë kohë as të shkruante një program reformash, e as të ndërtonte aleanca. I tërhequr në Palestrinë për t’i shpëtuar vapës mbytëse dhe ajrit të rëndë të verës romake, ai vdiq papritur, duke lënë pas një mister që do të mbijetonte gati një mijë vjet…
…”Në korridoret e errëta të historisë mesjetare, vdekja nuk ishte gjithmonë çështje fati; shpesh ishte instrument pushteti”.
Për bashkëkohësit e vitit 1048, të mësuar me një Romë ku papët ngriheshin dhe rrëzoheshin me të njëjtën lehtësi si stinët, ideja se një papë “i huaj”, i imponuar nga perandori, mund të vdiste “natyrshëm” nga ethet, dukej tepër naive. Përkrahësit e teorisë së helmimit nuk kishin nevojë për autopsi; u mjaftonte motivi. Benedikti IX, patriciu romak i rrëzuar dy herë nga froni dhe armik i betuar i reformës perandorake, kishte çdo arsye ta shihte Damasusin si uzurpator. Në thashethemet e Curies së asaj kohe nisi të qarkullonte edhe një emër si dora ekzekutuese: Gerhard Brazutus, njeriu i besuar i Benediktit. Kështu lindi legjenda e “Papës së helmuar”.
Tragjedi biologjike apo fatkeqësi klimatike?
Versioni më i qëndrueshëm dhe i mbështetur nga burimet serioze – nga Enciklopedia Katolike dhe Treccani, deri te biografitë gjermane të papatit – flet për një fund krejt natyral: malaria.
Vera romake e shekullit XI ishte vdekjeprurëse. Fushat kënetore përreth qytetit ishin çerdhe mushkonjash dhe ethet malarike kositnin çdo vit vizitorët e ardhur nga veriu, të cilët nuk kishin imunitet. Damasus II, një malësor i rritur në ajrin e pastër të Tirolit, ishte viktima ideale e këtij klima-shoku. Mjekësia e kohës, pa asnjë mundësi diagnostikimi modern, e quante thjesht “febbre romana” – ethet romake. Një diagnozë që në shumicën e rasteve ishte një dënim me vdekje brenda pak ditësh. Për historiografinë moderne, ky mbetet shpjegimi më racional.
Mesjetë, politikë dhe arma perfekte: helmi
Por politika e kohës nuk lejonte një shpjegim kaq të thjeshtë. Papatit në vitin 1048 ishte një fushë beteje e hapur. Në njërën anë, perandori gjerman që kërkonte një Kishë të reformuar dhe të bindur. Në anën tjetër, aristokracia romake e familjes Tusculum, me Benediktin IX si simbol, që nuk e kishte pranuar kurrë humbjen e pushtetit dhe ruante ende milici dhe mbështetës brenda mureve të qytetit.
Në këtë klimë helmuese politikisht, vdekja e shpejtë e papës perandorak ndezi menjëherë fantazinë. Kronika polemizuese e kohës, si ajo e kardinalit Beno, i cili ishte kritik i ashpër i reformatorëve gjermanë, ushqyen hapur tezën e vrasjes politike. Në Mesjetë, helmi ishte arma perfekte e pushtetit: i padukshëm, i heshtur dhe i pamundur për t’u provuar.
Epilog
Sot, 977 vjet më vonë, nuk ka asnjë provë dokumentare apo mjeko-ligjore që të vërtetojë helmimin. Nuk ka as një provë që ta përjashtojë plotësisht. Ndarja mes faktit biologjik të malaries dhe legjendës së komplotit mbetet e pakapërcyeshme.
Dhe pikërisht këtu qëndron fati i Damasus II: ai mbeti në histori jo për atë që bëri në 23 ditët e tij në fron, por për mënyrën se si vdiq. Si mishërimi perfekt i një epoke ku kufiri mes natyrës dhe krimit, mes etheve të kënetës dhe helmit të armikut, ishte i pamundur për t’u dalluar.
