Nga Leonard Veizi
Në gushtin e vitit 1896, në një cep të largët të Yukonit, pranë kufirit me Alaskën, ndodhi një zbulim që do të ndryshonte përgjithmonë historinë e Veriut të Amerikës. Tre kërkues ari – Xhorxh Karmak, Skukum Xhim Mejson dhe Douson Çarli – zbuluan ar në Bonanza Creek, një degë e lumit Klondike. Karmak ishte i shoqëruar edhe nga gruaja e tij, Keit Karmak. Lajmi nuk u përhap menjëherë, por sapo mbërriti në botën e qyteteve dhe gazetave, shpërtheu një prej migrimeve më të mëdha të aventurierëve, kërkuesve të pasurisë dhe të dëshpëruarve të fundit të shekullit XIX.
Psikoza kolektive
Zbulimi i arit nuk ishte thjesht një ngjarje ekonomike. Ai u shndërrua në një psikozë kolektive.
Në vitet 1897–1898, rreth 100 mijë njerëz u nisën drejt Klondike, të bindur se pasuria i priste nën dëborë. Pothuajse të gjithë kishin të njëjtin qëllim: të gjenin ar dhe të ktheheshin të pasur. Por Klondike nuk ishte një vend ku pasuria shpërndahej njësoj. Vetëm një pakicë arriti të bënte pasuri të konsiderueshme. Shumë të tjerë humbën paratë, shëndetin, kohën dhe, në disa raste, edhe jetën.
Rruga drejt arit ishte pothuajse po aq e pamëshirshme sa vetë kërkimi. Nga portet e bregut të Paqësorit, aventurierët niseshin drejt veriut dhe duhej të përballonin udhëtime të gjata, të ftohtin ekstrem, mungesën e ushqimit dhe terrenin e egër. Qindra kilometra duhej të përshkoheshin në këmbë, shpesh duke transportuar mbi shpinë furnizime të rënda. Në kalimet malore, sidomos në Chilkoot Pass, kolonat e njerëzve dukeshin si vargje të pafundme nën dëborë.
Por ndërsa kërkuesit ngjiteshin drejt minierave, një tjetër lloj ari po grumbullohej në qytete: ari i tregtisë.
Siatëll dhe San Francisko nisën një konkurrencë të ashpër për të përfituar nga vala e re e migrimit. Kushdo që udhëtonte drejt Klondike kishte nevojë për veshje, ushqime, mjete pune, kuaj, varka, transport dhe strehim. Shumë tregtarë fituan më tepër duke shitur mjete për kërkuesit sesa kërkuesit vetë duke nxjerrë ar.
Gazetat e kohës e përshkruan këtë mani me një term domethënës: “Klondicitis” – një lloj sëmundjeje kolektive që i kishte pushtuar njerëzit me dëshirën për ar.
Klondike u bë kështu një përzierje e çuditshme: romantik dhe brutal, premtues dhe mashtrues, i hapur ndaj ëndrrave dhe i pamëshirshëm ndaj atyre që nuk mund t’i përballonin kushtet. Për një shoqëri që po hynte në epokën moderne, ai ishte një provë e jashtëzakonshme e fuqisë së lakmisë.
Tre personazhet
Edhe tre njerëzit që e zbuluan arin patën fate krejt të ndryshme.
Xhorxh Karmak u bë një njeri me mjete dhe pasuri, por zbulimi nuk i solli domosdoshmërisht lumturinë familjare. Marrëdhënia me Keit Karmak u prish dhe ai e la atë. Kate, e cila kishte qenë pjesë e jetës së tij në Veri, nuk arriti të përshtatej me jetën që pasoi. Karmak ndërkohë jetoi në një gjendje relativisht të bollshme.
Skukum Xhim Mejson, një nga figurat më të rëndësishme të zbulimit, u tregua më i kujdesshëm me pasurinë. Ai përfitoi nga minierat dhe ua jepte të tjerëve me qira, duke siguruar të ardhura pa iu nënshtruar vetë punës së rëndë të galerive. Në një farë mënyre, ai kuptoi më shpejt se të tjerët se në një ethe ari nuk është domosdoshmërisht ai që gërmon dheun që fiton më shumë.
Douson Çarli, përkundrazi, e pati një fund tragjik. Ai shpenzoi thuajse të gjithë pasurinë që kishte fituar nga ari dhe përfundoi duke e konsumuar jetën e tij në mënyrë të shkujdesur. Vdiq në një aksident, në gjendje të dehur. Ëndrra e artë e Klondikes, për t’i dhënë një jetë të re, përfundoi në mënyrën më ironike: ari që dikur premtonte shpresë nuk mundi ta shpëtonte nga vetëshkatërrimi.
Xhek London dhe miti letrar
Por Klondike nuk mbeti vetëm një histori ekonomike. Ai u bë edhe një mit letrar.
Në këtë botë të akullt, ku njeriu përballej me natyrën, urinë, dhunën, vetminë dhe lakminë, Xhek Londoni gjeti materialin për disa prej veprave më të njohura të letërsisë amerikane.
Londoni nuk ishte thjesht një shkrimtar që imagjinoi Veriun. Ai e njohu nga afër. Në vitin 1897, i tërhequr nga ethet e arit, ai u nis drejt Klondikes. Nuk u bë milioner. Përkundrazi, përvoja e tij në Veri i dha diçka tjetër: materialin jetësor dhe psikologjik që më vonë do ta kthente në letërsi.
Një nga romanet më të famshme që lidhet me këtë univers është “The Call of the Wild” I cili në shqip është njohur si “Kushtrimi I të parëve”, botuar në vitin 1903. Personazhi kryesor, qeni Bak rrëmbehet nga jeta e tij e rehatshme dhe dërgohet në Veri, ku përballet me një botë krejt tjetër. Atje mbijetesa nuk përcaktohet nga rregullat e qytetërimit, por nga forca, instinkti dhe aftësia për t’u përshtatur.
Në roman, Veriu nuk është thjesht sfond. Ai është një forcë që e zhvesh njeriun dhe kafshën nga shtresat e qytetërimit. Edhe më drejtpërdrejt me botën e kërkuesve të arit lidhet romani “Drita e Veriut” apo në orgjinal “Burning Daylight”, ndërsa tregimet e Londonit për Yukon-in dhe Klondiken u ushqyen drejtpërdrejt nga përvoja e tij në atë territor.
Në letërsinë e tij, Xhek Londoni e kuptoi diçka që statistikat e ethes së arit nuk mund ta shpjegonin: njeriu nuk shkon gjithmonë drejt pasurisë sepse e do arin; shpesh shkon sepse beson se ari do t’i japë një jetë tjetër.
Dhe kjo ishte pikërisht magjia e Klondikes.
Aty nuk shkonin vetëm njerëz të etur për pasuri. Shkonin njerëz që donin të ndryshonin fatin. Shkonin aventurierë, të papunë, tregtarë, mashtrues, njerëz të dëshpëruar dhe ëndërrimtarë. Secili mbante në mendje një version të vetin të së ardhmes.
Por mali nuk pyeste për ëndrrat e tyre.
Dëbora nuk njihte pasanikun nga i varfri. I ftohti nuk pyeste se sa para kishte në xhep. Dhe lumi nuk premtonte asgjë.
Klondike mbeti kështu një prej paradokseve më të mëdha të historisë së etheve të arit: një vend ku shumë njerëz u nisën për të kërkuar arin, ndërsa pasuria më e qëndrueshme u krijua rreth tyre – nga transporti, tregtia, furnizimet dhe shërbimet.
Në fund, vetëm një pjesë e vogël e atyre 100 mijë njerëzve u pasuruan. Shumica u kthyen duarbosh ose nuk u kthyen fare.
Por Klondike fitoi diçka që nuk humbi më: mitin.
Një mit ku ari shkëlqente nën tokë, ndërsa mbi të ngrihej një botë e ngrirë njerëzish të shtyrë nga lakmia, shpresa dhe instinkti për mbijetesë. Një botë që Xhek Londoni do ta kthente në letërsi dhe që, më shumë se një shekull më vonë, vazhdon të jetojë në imagjinatën tonë sa herë përmenden fjalët “ethet e arit”.
