Nga Leonard Veizi
Në vitin 1974, në kinema u shfaq një tmerr intimisht shqetësues, por e cilësuar më pasi si një kryevepër gonzo-makabre. Filmi ishte frymëzuar nga historia e vërtetë e vrasësit serial Ed Gein, i cili u arrestua në vitin 1957 për mizori të tmerrshme në Uiskonsin e largët. “The Texas Chainsaw Massacre” është shumë më tepër se një film horror klasik. Ai është një përvojë kinematografike që përmban një kritikë të fuqishme sociale dhe një estetikë unike të terrorit. Në thelb, filmi eksploron instinktet më të errëta të njeriut dhe se si ato mund të shfaqen në formën më brutale të mundshme…
Në ekranet shqiptare ai ka ardhur si “Masakra e Teksasit”. Emri “Teksas” u përdor në vend të titullit origjinal për një përshtatje më të përshtatshme filmike për publikun shqiptar. Është një nga filmat më të famshëm të zhanrit horror dhe ka pasur disa versione dhe vazhdime.
Versioni origjinal është ai i vitit 1974, me regji nga Tob Huper, me skenar të shkruar nga Tob Huper dhe Kim Henkëll. Në kastin kryesor interpretojnë: Marilin Bërns, Gunar Hansen dhe Pol A. Partin.
Filmi është pjesërisht i frymëzuar nga historia e vërtetë e vrasësit amerikan Ed Gjin, i cili përdorte lëkurën e viktimave për të krijuar maska dhe objekte shtëpiake. Eduard Gjin u bë i njohur si “Kasapi i Plejnfildit” ose “Guli i Plejnfildit”. Në film, figura e tij shndërrohet në personazhin e frikshëm Ledërfeis.
Por Ledërfeis, si figurë filmike, nuk është thjesht një vrasës. Ai është një njeri pa identitet të qartë. Ai mbart maska të ndryshme të bëra me lëkurë njerëzore, duke simbolizuar mungesën e një personaliteti të vërtetë. Ndryshe nga vrasësit serialë klasikë, Ledërfeis nuk paraqitet si një individ i izoluar, por si produkt i familjes së tij dhe i kushteve çnjerëzore ku është rritur.
Ai është një përbindësh tragjik edhe pse shfaqet si një figurë e tmerrshme, në disa momente ai duket i frikësuar dhe i hutuar, sidomos kur përballet me të huaj që hyjnë në territorin e tij.
Ngjarja
Një grup të rinjsh udhëtojnë në një zonë rurale të Teksasit dhe përfundojnë viktima të një familjeje kanibale, ku pjesë qendrore është Ledërfeis, i cili përdor një sharrë elektrike për të vrarë viktimat e tij.
Filmi nis me një paralajmërim për mënyrën se si kafshët theren në thertore. Ky element vendos menjëherë një paralelizëm midis industrisë së mishit dhe dhunës ndaj qenieve njerëzore.
Ledërfeis dhe familja e tij i trajtojnë viktimat njësoj si kafshët në thertore, duke përdorur çekiçin dhe sharrën elektrike për t’i copëtuar. Ky krahasim e shndërron filmin në një metaforë të fuqishme për mënyrën se si shoqëria mund të humbasë ndjenjën e njerëzores dhe ta kthejë individin në objekt.
Familja Sojer (Ledërfeis dhe të afërmit e tij) është simbol i një shoqërie të shkatërruar. Ata përfaqësojnë një version të deformuar të familjes tradicionale amerikane, të izoluar nga bota dhe të mbijetuar përmes dhunës dhe kanibalizmit.
Ribërjet dhe vazhdimet
“Masakra me sharrë elektrike në Teksas 2” (1986) – Një vazhdim me tone më groteske dhe humor të zi.
“Masakra me sharrë elektrike në Teksas” (2003) – Një ribërje moderne ku interpreton Xhesika Bjel.
“Masakra me sharrë elektrike në Teksas 3D” (2013) – Një vazhdim i drejtpërdrejtë i filmit të parë.
“Ledërfeis” (2017) – Një film që eksploron origjinën e personazhit.
“Masakra me sharrë elektrike në Teksas” (2022) – Një tjetër vazhdim i drejtpërdrejtë i historisë së vitit 1974.
Analizë
“Masakra me sharrë elektrike në Teksas” nuk është vetëm një nga filmat më të rëndësishëm të horrorit, por edhe një vepër që shënoi një kthesë kritike në historinë e kinemasë amerikane. Ai sfidoi pritshmëritë e publikut dhe krijoi një model të ri për horrorin modern.
Në vitet 1970, Amerika po kalonte një periudhë krize të thellë sociale dhe politike:
Lufta e Vietnamit, me pamjet brutale që hynin çdo ditë në ekranet televizive;
Skandali Uotërgejt;
Shpërbërja e ëndrrës amerikane dhe tronditja e mitit të familjes ideale.
Filmi pasqyron këtë atmosferë duke paraqitur një Amerikë të errët, ku të rinjtë nuk përballen vetëm me dhunën fizike, por edhe me një familje të sëmurë dhe të degraduar moralisht.
“Masakra me sharrë elektrike në Teksas” krijoi një arketip të ri të filmit slasher, një zhanër që do të zhvillohej më tej me filma si “Hallouin” (1978) dhe “E premtja e 13-të” (1980).
Ai braktisi estetikën gotike të filmave të mëparshëm horror dhe solli një realizëm të ftohtë, pothuajse dokumentar. Filmi ishte ndër të parët që konsolidoi figurën e “vajzës që mbijeton deri në fund”, një element që u bë standard në shumë filma horrorë të mëvonshëm.
Teknika filmike
Filmi është realizuar në një stil realist dhe intensiv, duke krijuar një ndjenjë të vazhdueshme ankthi. Megjithëse kishte një buxhet shumë të ulët, ai arriti sukses të jashtëzakonshëm dhe u kthye në një klasik.
Regjisori nuk u mbështet te efektet speciale të ekzagjeruara, por te montazhi, zëri dhe atmosfera. Ulërimat, zhurma e sharrës elektrike dhe heshtjet e papritura krijojnë një terror psikologjik të fuqishëm.
Dhuna nuk paraqitet si spektakël, por si diçka e ftohtë dhe e papritur. Kamera përdor një stil dokumentaristik, duke i dhënë historisë ndjesinë e një ngjarjeje reale.
Sharra elektrike nuk është vetëm një armë; ajo bëhet simbol i frikës që ndjek gjithë filmin.
Ndikimi
Filmi u ndalua në disa vende për shkak të dhunës së tij ekstreme dhe natyrës tronditëse.
Sot ai mbetet një nga filmat më të studiuar të kinemasë horror, i analizuar nga këndvështrime sociale, politike, feministe dhe kritike ndaj shoqërisë moderne.
Pavarësisht vazhdimeve dhe ribërjeve të shumta, asnjë version tjetër nuk ka arritur të rikrijojë atë ndjesi të pastër tmerri që solli filmi origjinal i vitit 1974.
