Tregu shqiptar i sigurimeve vijon të zgjerohet. Në 8 muajt e parë të vitit, kompanitë e sigurimeve arkëtuan rreth 18.3 miliardë lekë prime të shkruara bruto. Sipas të dhënave të AMF-së, kjo është një rritje prej 2.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Por rritja është edhe më e dukshme te dëmet. Kompanitë paguan rreth 6 miliardë lekë dëme, ose 9% më shumë se një vit më parë. Tregu vijon të dominohet nga sigurimet Jo-Jetë, të cilat përbëjnë më shumë se 91% të totalit.
Brenda tyre, sigurimet e detyrueshme të automjeteve mbajnë peshën kryesore. Primet motorike arritën në 11.5 miliardë lekë, me rritje 4%, ndërsa dëmet e paguara për aksidentet rrugore u rritën me mbi 9%, në 3.9 miliardë lekë.
Edhe sigurimet ndaj zjarrit dhe fatkeqësive natyrore kanë sjellë më shumë pagesa. Në këtë kategori, dëmet e paguara u rritën me 14%.
Ndërkohë, sigurimet e Jetës shënuan një rritje prej 6.2%, duke kapërcyer 1.6 miliardë lekë në prime. Numri i dëmeve të paguara në këtë segment u rrit me gati 23%, i ndikuar edhe nga produktet e lidhura me kreditë bankare./ad
