Më 9 tetor 1888 hapet zyrtarisht për publikun e gjerë Monumenti Washington
Nga Leonard Veizi
Tek ngjitesha shkallëve të Memorialit të Linkolnit, – me cilësinë e një turisti kureshtar, – e pashë sërish. I gjatë, i bardhë, thuajse i tretur në diellin e fortë të Uashingtonit qëndronte atje si një vijë që lidh qiellin me tokën. Rreth meje, turistë nga e gjithë bota pozonin te “Reflecting Pool” apo Pishina Pasqyruese. Ndoshta askush nuk e vërente me aq imtësi, por unë nuk i hiqja sytë nga një detaj: në rreth një të tretën e lartësisë, guri i bardhë errësohej papritur. Askush nuk bënte hije në atë lartësi. Ajo është si një plagë. Gjurma e një vendi që u nda më dysh dhe gjeti forcën të bashkohej sërish. Në atë çast kuptova se nuk po shikoja thjesht një monument, por historinë e Amerikës të gdhendur në gur. Dhe kjo histori, zyrtarisht, u hap për publikun pikërisht më 9 tetor 1888…
…Në dukje, një lajm administrativ. Në të vërtetë, fundi i një odiseje 40-vjeçare. Monumenti ishte ngritur për të nderuar Xhorxh Uashingtonin, komandantin e Ushtrisë Kontinentale gjatë Revolucionit dhe presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara, por ideja lindi vetëm pas vdekjes së tij në 1799. Republika e re kishte nevojë për një simbol fizik.
Për këtë, në 1833 u krijua Shoqëria Kombëtare e Monumentit të Uashingtonit dhe arkitekti Robert Mills projektoi një obelisk gjigant. Guri i themelit u vendos me ceremoni madhështore më 4 korrik 1848.
Atëherë filloi drama.
Monumenti i ndërprerë
Punimet vazhduan deri në 1854, kur gjithçka u ndal. Fondet u shteruan. Pastaj shoqëria ra nën kontrollin e Partisë “Know-Nothing Party”, një lëvizje politike nativiste dhe anti-emigrante, çka solli humbjen e besimit dhe të donatorëve.
Më pas erdhi Lufta Civile Amerikane.
Ndërtimi mbeti i pezulluar nga 1854 deri në 1877. Për më shumë se dy dekada, mbi kryeqytet qëndronte një trung i papërfunduar prej 46 metrash, një obelisk pa majë. Uashingtonasit e quanin “fabrika e gurit”. Ishte metafora më e përsosur e një vendi të ndarë.
Vetëm pas luftës, kur vendi po përpiqej të rindërtohej, në 1876 Kongresi Amerikan mori përsipër projektin. Punimet rifilluan në 1877 dhe struktura prej guri u përfundua më 6 dhjetor 1884. Dedikimi zyrtar u bë më 21 shkurt 1885, një ditë para ditëlindjes së Uashingtonit, dhe më në fund, më 9 tetor 1888, dyert u hapën për publikun. Vonesa ishte për shkak të ashensorit me avull dhe punimeve të brendshme.
169 metrat që e bënë botën të shikojë lart
Në përfundim, monumenti ishte një mrekulli: i veshur me mermer, granit dhe gneis blu me lartësi rreth 169 metra.
Kur u përfundua në 1884, ia mori rekordin Katedrales së Këlnit në Gjermani dhe ishte struktura më e lartë në botë. E mbajti deri në 1889, kur në Paris u ngrit Kulla Eiffel. Sot mbetet ende obelisku më i lartë në botë dhe struktura më e lartë prej guri.
Ajo vija që shihja nga shkallët e Memorialit të Linkolnit është pikërisht kufiri i asaj ndarje – aty ku mermeri i vjetër takon mermerin e ri.
Një aks simbolik
Vendndodhja nuk është rastësore. Ai qëndron në “National Mall” apo Shëtitoren Kombëtare, në aksin monumental që lidh Kapitolin – selinë e ligjit – me Memorialin e Linkolnit – simbolin e ruajtjes së bashkimit. Në mes, Pishina Pasqyruese reflekton të dyja.
Nëse Uashingtoni përfaqëson lindjen e republikës, Linkolni përfaqëson shpëtimin e saj. Dhe obelisku në mes është qepja që i mban bashkë.
Tërmeti si prova e fundit
Më 23 gusht 2011, një tërmet me magnitudë 5.8 goditi Virxhinian dhe u ndje fuqishëm në Uashington. Mermeri u ça në mbi 150 vende. Monumenti u mbyll për gati tre vjet dhe u rihap më 12 maj 2014, pas një restaurimi prej 15 milionë dollarësh.
Pra, ky obelisk ka vdekur dhe është ringjallur dy herë: një herë nga politika, një herë nga natyra. Ndoshta kjo është arsyeja pse, kur e sheh nga afër, nuk të duket thjesht një gur. Të duket si një premtim që Amerika i bëri vetes – dhe e mbajti, edhe pse me 40 vjet vonesë.
