Nga Leonard Veizi
Janë të paktë shkrimtarët që kanë lënë një gjurmë kaq të thellë në letërsinë botërore sa irlandezi Oskar Uajlld. Me mendjen e tij të mprehtë, humorin paradoksal dhe shpirtin rebel, ai sfidoi normat morale e shoqërore të epokës viktoriane. Jeta e tij, e shënuar nga fama, skandalet dhe vuajtjet, ishte po aq e jashtëzakonshme sa veprat që la pas. Ai mbetet simbol i lirisë krijuese, i bukurisë dhe i guximit për të sfiduar hipokrizinë shoqërore…
…U lind më 16 tetor 1854. Por më 30 nëntor 1900, në një hotel të Parisit, ndërroi jetë në varfëri dhe vetmi. Veprat e tij vlerësoheshin për origjinalitetin, ndërsa thëniet paradoksale, veshja elegante dhe mënyra e tij e jetesës e bënin një figurë magjepsëse. Romani i tij më i njohur, “Portreti i Dorian Greit”, së bashku me dramat, esetë dhe përrallat për fëmijë, përbën një pasuri të çmuar të letërsisë botërore.
Në vitin 1881, Uajlld botoi përmbledhjen e tij të parë me poezi. Një vit më vonë, nisi një turne leksionesh në Amerikën e Veriut. Ndër veprat e tij të rëndësishme janë “Princi i lumtur dhe përralla të tjera”, botuar më 1888, “Krimi i lord Artur Savilit dhe tregime të tjera”, botuar më 1891, si dhe “Shtëpia e shegëve” dhe “Dukesha e Paduas”.
Romani “Portreti i Dorian Greit” u botua fillimisht në formë reviste më 1890, ndërsa në formë libri më 1891. Drama “Freskorja e Lejdi Uindërmirit”, e vitit 1892, dhe “Një grua e parëndësishme”, e vitit 1893, i sollën famë të madhe si dramaturg.
Gjatë qëndrimit në burgun e Redingut, ai shkroi “De Profundis” (“Nga thellësia”), një letër reflektuese drejtuar lord Alfred Dagllas, me të cilin kishte pasur një lidhje dashurore, si dhe “Balada e burgut të Redingut”, një vepër që pasqyron vuajtjet njerëzore dhe padrejtësitë e sistemit të burgjeve.
Uajlld u ndikua shumë nga edukimi familjar. Nëna e tij, Xhejn Françeska Uajlld, e njohur si poete me pseudonimin Speranza, organizonte mbrëmje letrare ku merrnin pjesë shkrimtarë dhe intelektualë të njohur. Bisedat për artin, letërsinë dhe filozofinë ndikuan në formimin e tij.
I ati, Uilliam Uajlld, ishte mjek dhe studiues i historisë, arkeologjisë e traditave irlandeze. Dashuria për gjuhën dhe letërsinë greke i solli Oskar Uajlldit shumë nderime gjatë studimeve universitare. Ai studioi veprat e autorëve të lashtë grekë dhe u frymëzua nga idealet e bukurisë, harmonisë dhe përsosmërisë.
Uajlld dallohej për ekscentricitetin dhe prirjen për të sfiduar normat konservatore të Anglisë viktoriane. Megjithëse ishte pjesë e shoqërisë së lartë, ai nuk kufizohej vetëm në rrethet aristokratike. Besonte se arti dhe kultura duhej të ishin pasuri e përbashkët e njerëzimit.
Në vitin 1884, ai u martua me Konstans Llojd. Nga kjo martesë lindën dy djem, Sirili dhe Viviani. Uajlld i donte shumë fëmijët e tij dhe për ta shkroi disa nga përrallat më të bukura, ku trajtoi dashurinë, sakrificën, dhembshurinë dhe bukurinë shpirtërore.
Shkrimtari ishte kundërshtar i dogmave dhe i moralizimit të ngurtë të shoqërisë viktoriane. Ai kritikonte me ironi hipokrizinë e njerëzve, të cilët shpesh fshiheshin pas maskave shoqërore. Për të, rëndësi nuk kishte vetëm pamja e jashtme, por edhe e vërteta që fshihej pas saj.
Uajlld përbuzte mediokritetin intelektual dhe përpjekjet për të imponuar një mënyrë të vetme të menduari. Ai e përdorte humorin për t’iu përgjigjur kritikave dhe për të sfiduar paragjykimet e kohës.
Përveç letërsisë dhe estetikës, ai interesohej edhe për metafizikën dhe misteret e ekzistencës. Edukimi familjar dhe njohja e miteve të ndryshme ushqyen imagjinatën e tij. Xhaxhai i tij, Çarls Maturin, ishte shkrimtar i njohur i letërsisë gotike dhe të tmerrit.
Interesat filozofike të Uajlldit shfaqen qartë në romanin “Portreti i Dorian Greit”. Në qendër të veprës qëndron ndarja ndërmjet pamjes së jashtme dhe botës së brendshme, si dhe konflikti ndërmjet bukurisë fizike dhe moralit.
Personazhi kryesor, Dorian Grei, dëshiron të ruajë përgjithmonë rininë dhe bukurinë. Ndërsa ai mbetet i ri, portreti i tij pasqyron gjurmët e veprimeve dhe të shthurjes morale. Përpjekja për të ruajtur pamjen e jashtme e largon gjithnjë e më shumë nga vetvetja shpirtërore.
Në fund, Dorian Grei përpiqet të shkatërrojë portretin, i cili simbolizon ndërgjegjen dhe të vërtetën e tij të brendshme. Ky veprim sjell fundin e tij tragjik. Përmes kësaj vepre, Uajlld ngre pyetje mbi bukurinë, moralin dhe pasojat e dëshirës për përsosmëri fizike.
Romani mund të lidhet edhe me legjendën e doktor Faustit, i cili kërkon të kapërcejë kufijtë njerëzorë për të përmbushur dëshirat e veta. Në të dyja rastet, ambicia për të arritur diçka përtej mundësive njerëzore shoqërohet me pasoja të rënda.
Uajlld e trajton vazhdimisht temën e së bukurës. Ai kundërshtonte idenë se arti duhej t’i nënshtrohej moralit ose të shërbente vetëm si pasqyrim i realitetit. Sipas tij, arti duhej të kishte vlerë në vetvete, parim i njohur si “arti për artin”.
Ai besonte se arti nuk ishte thjesht imitim i jetës së përditshme, por një realitet më vete, që i mundësonte njeriut të zbulonte dimensione të reja të përvojës njerëzore. Pikëpamjet e tij estetike u bënë burim frymëzimi për shumë shkrimtarë të mëvonshëm.
Jeta e Uajlldit mori një kthesë tragjike në vitin 1895, kur ai u dënua me dy vjet burg dhe punë të detyruar për shkak të marrëdhënies së tij me lord Alfred Dagllas, në një kohë kur homoseksualiteti dënohej penalisht në Angli. Burgu i shkaktoi vuajtje të mëdha fizike dhe shpirtërore. Pas lirimit, ai jetoi kryesisht në Francë, larg famës dhe jetës së mëparshme.
Megjithatë, vuajtjet nuk e shuan krijimtarinë e tij. Në “De Profundis” dhe “Balada e burgut të Redingut” shfaqen dhembshuria për njeriun, reflektimi mbi vuajtjen dhe kritika ndaj padrejtësisë.
Oskar Uajlld ishte një shkrimtar i madh, që sfidoi paragjykimet dhe moralin e rremë të epokës së tij. Njohës dhe admirues i letërsisë së lashtë greke, ai besonte se qytetërimi antik mishëronte bukurinë dhe harmoninë.
Edhe pse jeta e tij përfundoi në vetmi dhe mjerim, veprat e tij vazhdojnë të lexohen dhe të vlerësohen për gjuhën e pasur, ironinë dhe mendimin e thellë. Ai mbetet një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë botërore, duke dëshmuar se bukuria e vërtetë nuk qëndron vetëm në pamjen e jashtme, por edhe në thellësinë e shpirtit dhe në lirinë e mendimit.
