Nga Leonard Veizi
Pak personazhe kanë bërë një rrugëtim kaq të gjatë nëpër shekuj sa Robin Hudi. Ka dalë nga baladat popullore, ka hyrë në letërsi, ka pushtuar kinemanë dhe vazhdon të jetojë në imagjinatën e brezave. Askush nuk mund të thotë me siguri nëse ka ekzistuar vërtet, por kjo nuk e ka penguar të bëhet një nga figurat më të njohura të kulturës perëndimore. Ndoshta sepse çdo kohë e ka lexuar legjendën e tij sipas padrejtësive të veta.
Drejtësia mbi ligjin – thelbi demokratik i legjendës
Legjenda e vendos në pyjet e Shervudit, pranë Notingamit. Aty Robin Hudi, së bashku me shokët e tij besnikë – Xhon i Vogëli, Murgu Taku, Uill Skarleti dhe Zonja Marian – i shpall luftë rendit të korruptuar të Sherifit të Notingamit.
Rregulli i tij është i thjeshtë: u merr pasurinë atyre që e kanë fituar në mënyrë të padrejtë dhe ndihmon të varfrit, duke i qëndruar besnik mbretit të ligjshëm, Rikard Zemërluanit.
Këtu qëndron forca politike e legjendës dhe arsyeja pse ajo është thellësisht demokratike. Robin Hudi nuk është mohues i shtetit, por mohues i shtetit të kapur. Kur ligji shndërrohet në mjet shtypjeje dhe pushteti takson popullin për të ushqyer oborrin, lind pyetja legjitime që çdo Demokraci duhet të bëjë: a mjafton të jesh i ligjshëm për të qenë i drejtë?
Legjenda na thotë se jo. Liria nuk mbrohet vetëm duke iu bindur ligjit, por duke pasur kurajën ta sfidosh ligjin kur ai mbron padrejtësinë. Robin Hudi nuk paraqitet si hajdut, por si qytetar që ushtron të drejtën e fundit të rezistencës – ideja mbi të cilën u ndërtuan më vonë të gjitha kushtetutat moderne.
Nga faqet e romanit në ekranin e madh: si mbijetoi shtatë shekuj
Legjenda lindi në baladat mesjetare angleze të shekullit XIV-XV, por mori formën e saj moderne letrare në vitin 1883, kur shkrimtari amerikan Hauard Pail botoi librin “The Merry Adventures of Robin Hood” I cili në shqip vjen “Aventurat gazmore të Robin Hudit”, që bashkoi në një rrëfim të vetëm historitë e shpërndara.
Më pas erdhi kinemaja, që e ktheu në mit global.
Filmi pa zë i vitit 1922 me Dagllas Ferbanks hapi rrugën e ekranizimeve. Versioni i vitit 1938 me Eroll Flin – Aventurat e Robin Hudit – mbetet edhe sot klasik i filmit të aventurës dhe modeli i heroit hollivudian.
Brezi i ri e njohu përmes kompanisë Dizni, që në vitin 1973 e solli si dhelpër vizatimore. Kevin Kostner e riktheu në qendër të vëmendjes në vitin 1991 me filmin Robin Hudi: Princi i hajdutëve apo sië është në orgjinal “Robin Hood: Prince of Thieves”, ndërsa regjisori Ridli Skot, në vitin 2010, me filmin Robin Hudi, i dha legjendës një interpretim më realist dhe politik – jo si përrallë, por si revoltë e shtresës së lirë kundër taksave arbitrare të kurorës.
Deri më sot janë realizuar mbi njëqind përshtatje filmike dhe televizive. Asnjë personazh tjetër mesjetar nuk ka pasur këtë jetëgjatësi.
Pse vazhdon të na flasë edhe sot
Robin Hudi nuk ka mbijetuar për shkak të harkut apo shigjetave. Ka mbijetuar sepse ngre një pyetje që nuk vjetrohet kurrë: çfarë ndodh kur pushteti e përdor ligjin për të mbrojtur padrejtësinë?
Në çdo epokë ka një Sherif të Notingamit – një pushtet që e quan ligj atë që është vetëm privilegj. Dhe në çdo epokë ka nevojë për një kujtesë se Demokracia nuk është thjesht votë, por drejtësi e përditshme. Se shteti ekziston për qytetarin, jo qytetari për shtetin.
Ndoshta kjo është arsyeja pse çdo brez gjen diçka nga vetja te Robin Hudi. Ai nuk është thjesht heroi i një pylli anglez, por simboli universal i njeriut që beson se drejtësia nuk matet vetëm me nenet e kodit, por edhe me ndërgjegjen e lirë.
