3 Nëntor 1956 – Tronditet Europa Lindore
Nga Leonard Veizi
Në mëngjesin e 4 nëntorit 1956, rrugët e Budapestit u mbushën me tanket e Ushtrisë së Kuqe. Mbi 60 mijë trupa sovjetike hynë në Hungari për të shuar me gjak revoltën që kishte shpërthyer vetëm pak ditë më parë – një kryengritje e papritur kundër regjimit komunist, që do të mbetej një nga ngjarjet më të trazuara të shekullit XX në Evropën Lindore.
Revolucioni që tronditi kampin komunist
Gjithçka kishte nisur në mbrëmjen e 23 tetorit, kur mijëra studentë, punëtorë e qytetarë hungarezë dolën në rrugë për të kërkuar më shumë liri, pluralizëm politik dhe largimin e trupave sovjetike nga vendi i tyre. Demonstratat fillimisht ishin paqësore, por shumë shpejt u përplasën me forcat e sigurisë komuniste. Brenda pak orësh, protesta u kthye në një revolucion të armatosur.
Më 24 tetor, qeveria e vendosur nga Moska u rrëzua. Në krye të vendit erdhi Imre Nagy, një komunist reformator që premtoi zgjedhje të lira dhe daljen e Hungarisë nga Traktati i Varshavës. Ishte momenti më i guximshëm që kishte njohur ndonjëherë kampi socialist në Evropë – një sfidë e hapur ndaj Bashkimit Sovjetik.
Shtypja me armët e rënda
Por shpresa zgjati pak. Më 4 nëntor, tanket sovjetike hynë përsëri në Budapest. Rreth 2000 tanke sovjetike hynë në Budapest nga të gjitha drejtimet. Artileria bombardoi ndërtesat ku ishin fortifikuar rebelët, ndërsa avionët MIG fluturonin ulët mbi qytet për t’u bërë presion psikologjik. Luftimet zgjatën për disa ditë, derisa rezistenca hungareze u shua nën zjarrin e armëve të rënda. Qyteti u kthye në një skenë rrënojash. Mbi 2500 hungarezë humbën jetën, dhjetëra mijëra u plagosën dhe rreth 200 mijë të tjerë u detyruan të arratiseshin jashtë vendit.
Kryeministri Imre Nagy u strehuan në ambasadën jugosllave, por më vonë u arrestua nga sovjetikët dhe u ekzekutua fshehurazi në vitin 1958. Evropa e Lirë heshti, dhe Hungaria u rikthye nën hijen e Moskës.
Pas shtypjes së revolucioni, në pushtet u vendos qeveria pro-sovjetike e János Kádár, e cila do të mbante Hungarinë nën kontrollin e Kremlinit edhe për tri dekada të tjera. Rrugët e Budapestit mbetën të mbushura me rrënoja, ndërsa shpresa për liri u varros bashkë me trupat e rinjve që guxuan të ëndërronin.
Jehona e ngjarjeve në Shqipërinë e Enver Hoxhës
Në atë kohë, Shqipëria ishte nën regjimin e hekurt të Enver Hoxhës, një prej aleatëve më të bindur të Bashkimit Sovjetik. Lajmet për kryengritjen e Hungarisë mbërritën në Tiranë përmes agjencive të kontrolluara të shtypit komunist. Gazeta “Zëri i Popullit” i përshkroi ngjarjet si “komplot reaksionar” dhe “tentativë të imperializmit amerikan për të goditur socializmin”.
Regjimi u pozicionua menjëherë në mbështetje të Moskës. Enver Hoxha doli publikisht në krah të Nikita Hrushovit, duke e quajtur ndërhyrjen sovjetike “akt heroik për mbrojtjen e pushtetit popullor”. Në fjalimet e tij, ai e përdori rastin për të paralajmëruar çdo zë ndryshe në Shqipëri:
“Çdo dorë që ngrihet kundër socializmit do të ketë fatin e reaksionarëve të Budapestit.”
Në të gjitha qytetet u organizuan mitingje të detyrueshme “solidariteti me popullin hungarez”, ku punëtorët, studentët dhe ushtarët duhej të dënonin “tradhëtarët e socializmit”. Në fakt, këto mbledhje ishin prova politike për lojalitetin ndaj Partisë. Sigurimi i Shtetit nisi një fushatë të re kundër “elementëve liberalë” dhe “revizionistëve të brendshëm”.
Frika dhe heshtja
Në një shoqëri të mbyllur si ajo shqiptare, informacioni i vërtetë për ngjarjet e Budapestit mungonte. Por nën zë, në kafene, në dhomat e ftohta të konvikteve apo në fshatrat e largët, njerëzit pëshpëritnin se në Hungari populli ishte ngritur kundër regjimit, dhe për disa ditë e kishte fituar lirinë. Ishte një lajm që ngjallte një ndjenjë të përzier – shpresë dhe frikë njëherësh.
Për shumë shqiptarë, revolta hungareze u bë simbol i guximit për t’u ngritur kundër shtypjes. Por për regjimin, ajo u kthye në shembull frikësues për të treguar se çfarë ndodh kur “populli devijon nga udha e Partisë”.
Mësimi që mori diktatura shqiptare
Në plenumin e nëntorit 1956, Partia e Punës përdori ngjarjen për të forcuar edhe më shumë kontrollin ideologjik. U shpall se “revizionizmi” ishte armiku më i madh i brendshëm. Çdo mendim ndryshe në parti apo në shoqëri u barazua me “tradhti ndaj socializmit”. Ky ishte preludi i një vale të re spastrimesh politike, burgimesh dhe persekutimesh që do të zgjasnin gjatë viteve ’60.
Revolucioni Hungarez, në vend që të sillte reflektim, i dha regjimit shqiptar justifikimin për të mbyllur çdo derë të dialogut dhe për ta izoluar vendin edhe më shumë nga bota.
Një shpresë e shuar
Edhe pse u shtyp me dhunë, revolucioni i vitit 1956 mbeti një nga aktet më të guximshme të lirisë në Evropën Lindore. Ai tregoi se edhe brenda kampit komunist ekzistonte një etje e madhe për pavarësi dhe demokraci.
Në Shqipëri, kjo ngjarje u hesht për dekada. As në tekstet e historisë, as në fjalimet zyrtare nuk u përmend ndonjëherë si përpjekje për liri. Për regjimin, ajo ishte “një mësim për vigjilencën revolucionare”. Por për ata që dinin të lexonin mes rreshtash, ajo mbeti kujtimi i një populli që guxoi të thotë “mjaft”.
Sot, kur dokumentet janë hapur dhe historia flitet pa frikë, Revolucioni Hungarez i 1956-s shihet si çasti i parë i çarjes së perdes së hekurt. Një çarje që do të zgjaste më shumë se tridhjetë vjet – derisa tanket u zëvendësuan nga fjalët dhe frika nga guximi.
