Nga Leonard Veizi
Në thellësi të shpirtit rus, aty ku fjalët shpesh ngrihen si klithma në shkretëtirë, kishte një zë që refuzonte të dorëzohej, një fije drite e guximshme që çponte errësirën e autoritarizmit. Ana Politkovskaja ishte një shpirt i etur për të vërtetën, e cila hodhi çdo copëz të jetës së saj në altarin e gazetarisë së pastër. Ajo shkroi jo me bojë, por me guximin e saj dhe gjakun e saj, duke zbuluar pllakosjen e krimeve dhe të padrejtësisë…
…Më 7 tetor 2006, në Moskë, ky zë u shua dhunshëm. Një heshtje e ftohtë pushtoi ashensorin e banesës, aty ku trupi i saj u gjet i pajetë. Një dëshmi tragjike për të kuptuar se sa i madh është çmimi i lirisë së fjalës në tokën ku e vërteta shpesh vritet para se të lindë dita. Ishte një akt që nuk synonte vetëm t’i merrte jetën një gruaje, por të paralizonte zemrën e çdo gazetari të guximshëm që kërkonte të thoshte të vërtetën.
Kronika e guximit
E lindur në vitin 1958, në Nju Jork nga prindër diplomatë, Ana Politkovskaja u bë një emër që rezononte si kushtrim ndërgjegjeje në peizazhin e trazuar mediatik të Rusisë pas viteve ’90, nuk ishte thjesht një gazetare, por një dëshmitare e patrembur. Ajo hyri thellë në ferrin e luftërave çeçene, duke shpërfillur rrezikun, për të sjellë dëshmi tronditëse mbi mizoritë e ushtrisë ruse, shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe gangrenën e korrupsionit që kishte gërryer strukturat shtetërore.
Më 2001, fiton Çmimin Global të Amnesty International për gazetari në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Në tetor 2002, pranon rolin e negociatores gjatë rrethimit të teatrit Dubrovka në Moskë. Në 2003 fiton çmimin e OSBE-së për Gazetari dhe Demokraci.
Penën e saj e kishte vendosur në shërbim të të vërtetës, duke u bërë shtyllë e gazetës së pavarur “Novaya Gazeta”, një nga strehat e fundit të lirisë së shprehjes në një Rusi që po binte shpejt nën hijen e autoritarizmit. Pa asnjë hezitim, ajo akuzoi hapur regjimin e Vladimir Putinit për shtypjen sistematike të çdo zëri disident, nga opozita e deri te aktivistët. Ajo ishte bërë kërcënim për pushtetin. Dhe mori kërcënime të shumta me vdekje.
Ekzekutimi
Guximi i saj arrin kulmin në vitin 2004, kur gjatë përpjekjes për të negociuar me terroristët në Beslan, asaj i ra të fikët në aeroplan gjatë rrugës për atje. Mjekët besuan se ajo u helmua për ta penguar të raportonte. Ky ishte një paralajmërim makabër që sinjalizonte se elimininimi i saj ishte veçse çështje kohe.
Megjithatë, “Novaya Gazeta” punoi pa u lodhur për të hetuar se çfarë ndodhi në Beslan dhe publikoi një numër raportesh që sugjeronin se eksplozivët e vendosur nga forcat speciale ruse për t’i dhënë fund rrethimit kishin qenë përgjegjës për shumë nga vdekjet.
Ora e errët erdhi kur ajo u qëllua me katër plumba, njëri prej të cilëve e kapi fatalisht në kokë. Ishte një ekzekutim i ftohtë, me stilin tipik të bandave mafioze. Vrasja, e kryer pikërisht në hyrje të shtëpisë së saj, tronditi thellë ndërgjegjen ndërkombëtare. Ajo u pa si një simbol i tmerrshëm: heshtja e dhunshme e imponuar mbi fjalën e lirë në Rusi.
Enigma
Ndërsa hetimet zyrtare çuan në dënimin e disa ekzekutorëve të lidhur me grupe çeçene, porositësi i vërtetë i këtij krimi mizor mbeti dhe mbetet i mbuluar nga një perde e dendur misteri. Për analistët, kolegët e saj dhe shumë vëzhgues, dyshimi është i qartë dhe i rëndë: urdhri erdhi nga lart, nga qarqe të pushtetit apo shërbimeve sekrete ruse, të cilët donin të shuanin përfundimisht zërin e saj kritik kundër Kremlinit.
Vrasja e Ana Politkovskajës shënoi një pikë kthese të trishtë, duke sinjalizuar fundin e brishtë të një periudhe të shkurtër të lirisë së fjalës në Rusi. Ajo është skalitur në kujtesën e botës si një simbol i përjetshëm i guximit gazetaresk dhe integritetit moral, një zë i pathyeshëm që nuk u përkul as përballë plumbave. Ajo na kujton se e vërteta është një flakë e çmuar që duhet mbrojtur, edhe kur kostoja është vetë jeta.
