Më 30 shtator 1955 vdes në moshën 24 vjeçare pas një aksidenti automobilistik Xhejms Din, aktori i famshëm amerikan
Nga Leonard Veizi
U desh të vdiste fare i ri dhe menjëherë të kthehej në një mit. Dhe miti i tij arriti të futej deri në Shqipëri përmes telave me gjemba. Ndërsa filmat ishin krejt herezi dhe ai nuk do të mund të shihej në ekranin e “Tiranës” deri në ndërrimin e sistemeve…
…Fama e tij do të përbëhej prej 12 rolesh. I ri, sharmant dhe me shumë klas në interpretim, Xhejms Din shihej si e ardhmja e kinemasë në Hollivud. E megjithëse fort i njohur për rolet e tij në film, ai ishte njëkohësisht edhe një aktor teatri. Në filmografinë e tij renditen 7 role të interpretuara në kinema dhe 5 në teatër. Vdekja e tij e hershme, si dhe roli në filmin “Rebel Without a Cause”, e bënë Din-in idhullin e rinisë amerikane. Pas vdekjes u nominua dy herë për çmimin “Oskar” për rolet në filmat “Gjiganti” dhe “Lindja e Edenit”
U lind më 8 shkurt 1931, në Marion, Indiana, SHBA. Pati një jetë të shkurtër, sepse vdiq më 30 shtator 1955, afër Paso Robles, Kaliforni. Ishte një aktor amerikan, i mishëruar si simbol i konfuzionit, nervozitetit dhe rinisë idealiste të viteve ’50. Megjithëse bëri disa filma para vdekjes së tij në një aksident automobilistik në moshën 24-vjeçare, performanca e tij, ndoshta më e rëndësishmja në “Rebel Without a Cause”, apo siç vjen në shqip “Rebel pa një kauzë” (1955), ka provuar qëndrueshmëri. Familja e tij u transferua nga Indiana në Kaliforni kur ishte pesë vjeç. Pas vdekjes së nënës së tij katër vjet më vonë, Din u kthye në Indiana, ku u rrit në fermë nga një teze dhe xhaxhai. Ai u transferua përsëri në Kaliforni pas shkollës së mesme, për të studiuar për dy vjet teatër në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos.
Roli i parë në aktrim profesional ishte për një reklamë të pijeve freskuese, e cila e çoi më tej në një rol me tekst si Gjon Pagëzori në “Pashkët speciale me Hill Number One” më 1951. Ai interpretoi pjesë të vogla në tre filma të Hollivudit – “Bajonetat e mbërthyera”, “Marinari i kujdesshëm” dhe “A e ka parë dikush Gal-in tim?” – para se të transferohej në Nju Jork, me këshillën e aktorit Xhejms Uitmor, me të cilin kishte studiuar për një kohë të shkurtër.
Pas disa punëve afatshkurtra, përfshirë një periudhë të shkurtër si “testues marifetesh” për lojën televizive të CBS “Beat the Clock”, ai u përfshi në një rol kryesor në shfaqjen e dështuar në Broadway “See the Jaguar”. Më i suksesshëm ishte interpretimi i tij dinak si shantazhues në një shtëpi homoseksualësh në një tjetër produksion të Broadway-t, “The Immoralist”, një përshtatje skenike e librit të Andre Zhid. “Imorali” e solli Din-in në vëmendjen e regjisorit të filmit Elia Kazan, i cili i dha aktorit 23-vjeçar rolin kryesor të adoleshentit të trazuar Kal Trask, në “Lindja e Edenit”, përshtatje nga romani i Xhon Stajnbek.
Në sheshxhirim, Din vijoi reputacionin e tij për ndryshimin e vazhdueshëm të karaktereve interpretative dhe linjës së dialogut, si dhe për çlirimin dhe sfidimin e qëllimshëm të kolegëve të tij aktorë, përfshirë Xhuli Haris, Rejmond Masej dhe Bërl Ajvs. Kur u dha premiera e filmit “Lindja e Edenit”, sidoqoftë, Din u pa si një yll i madh dhe filmi u nominua për çmimin “Oskar”; ishte nominimi i parë që iu dha pas vdekjes.
Shfaqja e dytë në film me protagonist Din, si gjimnazisti problematik Xhim Stark në “Rebel pa një kauzë”, me regji të Nikolas Rej, e shndërroi atë në mishërimin e brezit të tij. Karakteri i tij mospërfillës refuzon vlerat e prindërve të tij, ndërsa dëshpërimisht dëshiron “të përkasë” dhe përpiqet të gjejë një qëllim në jetë. Performanca e Din transmetoi me elokuencë në emër të adoleshentëve të zhgënjyer dhe të humbur, duke u dhënë atyre një hero për t’u admiruar. Drama klasike prezantoi gjithashtu Natali Uud dhe Sal Mineo.
Din u përfshi në projektin e producentit dhe regjisorit Xhorxh Stivens, “Gjiganti”, një dramë e vendosur në një fermë në Teksas, ku luanin gjithashtu Rok Hadson dhe Elizabeta Tejlor. Menjëherë pas përfundimit të filmit, Din, i shqetësuar, u largua me Porche-n e tij të argjendtë, tip “Porsche 550 Spyder”, për të marrë pjesë në një garë makinash sportive në Salinas, Kaliforni.
Shoqëruesi i aktorit në rrugën e tij ishte koordinatori i garave Bill Hikman, fotografi i “Collier’s” Sanfërd Roth dhe Rolf Vëterih, mekaniku gjerman nga fabrika e “Porche”-s, i punësuar për të ndihmuar në mirëmbajtjen e automjetit të sapoblerë. Duke ngarendur në autostradë, ai u përplas me një “Ford Sedan” dhe vdiq në vend. Aksidenti ndodhi afërsisht në orën 17:45.
Thuajse menjëherë u krijua një kult shumë besnik e brenda pak ditësh nga vdekja e tij, u bë ikonë e filmit. “Rebel pa një kauzë” dhe “Gjiganti” u shfaqën pas vdekjes, ndërsa ai mori nominim për “Oskar” për filmin e fundit. Aktori Hamfri Bogart komentoi pas vdekjes së Din-it në lidhje me imazhin dhe trashëgiminë e tij publike: “Din vdiq në kohën e duhur. Ai la pas një legjendë”.
Miti i Xhejms Din vazhdon të lulëzojë në shekullin e 21-të.
