Nga Leonard Veizi
Që nga paraqitja e parë në vitin 1989, me interpretimin e Xhek Nikëllsënit në filmin “Batman” të Tim Bërtonit, Xhokeri është kthyer në një mit kulturor më vete. Është personazhi që mishëron kaosin, humorin e zi dhe refuzimin e çdo rregulli…
…Por, nëpër dekada, ai ka ndryshuar fytyrë, kostum dhe filozofi. Nga gangsteri teatror i Nikëllsënit, te agjenti i kaosit i Hit Ledxhër-it dhe më pas te njeriu i braktisur i Hoakin Feniksit, ai ka pushuar së qeni vetëm armiku i Njeriut Lakuriq. Është bërë pasqyrë e frikërave dhe anktheve të shoqërisë që e shikon.
Xhek Nikëllsën: gangsteri showman dhe grotesk
Në filmin e vitit 1989, gjithçka nis me një gangster të quajtur Xhek Nejpiër. Pas një tradhtie dhe një përplasjeje me Njeriun Lakuriq, që përfundon në një rezervuar kimik, Nejpiër pëson metamorfozë të plotë. Lëkura i zbardhet, flokët i bëhen të gjelbër dhe fytyra i ngrin në një buzëqeshje groteske. Xhek Nejpiër vdes simbolikisht dhe lind Xhokeri.
Ajo që e dallon interpretimin e Xhek Nikëllsënit është se ai nuk e fsheh krimin. Ai e kthen në spektakël. Shkatërron vepra arti në muze duke vallëzuar dhe përdor substanca toksike që u lënë viktimave një buzëqeshje të ngrirë në fytyrë.
Ky Xhoker nuk kërkon vetëm pushtet. Ai do të përdhosë normën dhe rregullin. Filmi e lidh drejtpërdrejt edhe me traumën e vetë Njeriut Lakuriq: Xhek Nejpiër është njeriu që vrau prindërit e Brus Uejnit, duke u bërë pjesë e historisë që e çoi atë drejt identitetit të Njeriut Lakuriq.
Hit Ledxhër: agjenti i kaosit dhe filozofisë së errët
Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, Kristofer Nollani dhe Hit Ledzhëri e rikrijuan figurën në filmin “Kalorësi i Errët”. Nëse Xhokeri i Xhek Nikëllsënit është gangsteri që e kthen krimin në spektakël, Xhokeri i Ledxhër-it është diçka më e pakapshme.
Ai nuk ka histori të konfirmuar, as emër të vërtetë të zbuluar. Nuk është më gangster tradicional, por një forcë kaosi. Kërkon të provojë se rendi shoqëror është një iluzion i brishtë që shembet nëse njerëzit shtyhen mjaftueshëm fort. Me fytyrën e lyer keq dhe plagët që i japin buzëqeshjes një pamje të frikshme, është një nga mishërimet më të ftohta të së keqes në kinemanë moderne.
Hoakin Feniks: Artur Flek dhe revolta e të braktisurve
Në vitin 2019, Tod Filips e çoi personazhin në një dimension tjetër, më njerëzor dhe më tragjik. Artur Flek, i luajtur nga Hoakin Feniks, është një klloun që punon për të mbijetuar dhe një komedian që ëndërron të bëjë njerëzit të qeshin në një Gotam të varfër, të dhunshëm dhe të përçarë.
Këtu nuk kemi më gangster karizmatik, as terrorist të kaosit, por një njeri të margjinalizuar që kërkon të shihet dhe pranohet, por përplaset me përbuzjen dhe indiferencën. Pas vrasjeve në tren, Arturi shndërrohet pa e planifikuar në simbol të një revolte sociale, ku banorët vendosin maskat e kllounit dhe dalin në rrugë. Filmi shtron pyetjen më të rëndë: sa përgjegjësi ka shoqëria për përbindëshin që krijon vetë?
Tre Xhokerë, tri epoka
Në vitin 1989, “Xhoker”-i ishte spektakël dhe grotesk përmes Xhek Nikëllsënit. Në vitin 2008, Hit Ledzhëri solli kaosin filozofik. Në vitin 2019, Hoakin Feniksi mishëroi dhimbjen dhe zemërimin social përmes Artur Flekut.
Ajo që e mban Xhokerin të gjallë në kulturën popullore është se ai nuk plaket kurrë. Çdo epokë prodhon Xhokerin e vet: njëherë me kostum lejla, njëherë me bojë të shpërndarë në fytyrë, e njëherë me kostumin e një kllouni të varfër. Por gjithmonë me të njëjtën buzëqeshje – buzëqeshjen e njeriut që ka pushuar së besuari se bota ka kuptim.
