Last Updated on 01/10/2026 by EL
Ndryshimi i klimës po i jep Holandës mundësinë të kultivojë një bimë që deri pak vite më parë dukej e pamundur në këtë vend të lagësht dhe me klimë të butë: orizin.
Për shekuj me radhë, blegtoria ka qenë një nga shtyllat e bujqësisë holandeze. Por tani fermerët po eksperimentojnë me kultura të reja, ndërsa studiuesit shpresojnë se kultivimi i orizit mund të ndihmojë në zgjidhjen e një prej problemeve më të mëdha mjedisore të vendit: tharjen dhe fundosjen e tokave torfike.
Në një zonë bujqësore mes Amsterdamit dhe Hagës, fermeri Sander Roeleveld po korr orizin me një autokombajnë, në një peizazh tipik holandez me mullinj ere dhe kanale. Ai e quan veten “pionier” dhe synon t’u tregojë fermerëve të tjerë se tokat e lagështa mund të përdoren edhe për kultura të tjera, jo vetëm për kullota.
“Kur ke pasur lopë për 600 vjet, është vërtet e vështirë të imagjinosh të bësh diçka tjetër përveç prodhimit të qumështit”, thotë ai. Por, sipas tij, bujqësia duhet të ndryshojë për t’iu përshtatur së ardhmes.
Projekti është ende në fazën pilot dhe përfshin vetëm 0.6 hektarë, me synimin për të prodhuar rreth tre tonë oriz me kokërr të shkurtër, të përshtatshëm për sushi ose rizoto. Studiuesit po testojnë rreth 30 varietete orizi nga vende të ndryshme, përfshirë Rusinë, Kinën, Japoninë dhe Uzbekistanin, për të parë cilat përshtaten më mirë me kushtet holandeze.
Orizi për të mbajtur tokën nën ujë
Pas eksperimentit fshihet një problem shumë më i madh se diversifikimi i prodhimit bujqësor. Rreth një e dhjeta e territorit të Holandës përbëhet nga toka torfike, të cilat prej vitesh drenazhohen për të krijuar kullota për bagëtinë.
Kur këto toka thahen, torfa shpërbëhet dhe çliron sasi të mëdha dioksidi karboni. Në zonat më të prekura, toka mund të fundoset me disa centimetra në vit. Sipas Universitetit të Wageningen, emetimet nga tokat torfike përbëjnë rreth 2 deri në 3 për qind të emetimeve totale të gazeve serrë të Holandës.
Zgjidhja kryesore është mbajtja e tokës të lagësht. Por kjo ka qenë problem për fermerët, pasi kullotat tradicionale nuk mund të përdoren në të njëjtat kushte. Pikërisht këtu hyn orizi.
Studiuesi Julian Helfenstein nga Universiteti dhe Qendra Kërkimore Wageningen, që po zhvillon projektin së bashku me kolegë nga Universiteti i Leidenit, e përshkruan idenë si një kombinim të përshtatjes dhe luftës ndaj ndryshimeve klimatike.
Kultivimi i orizit mundëson mbajtjen e tokës nën ujë, duke kufizuar degradimin e torfës dhe çlirimin e CO2, ndërsa njëkohësisht krijon një kulturë bujqësore që mund të rritet në kushtet e reja klimatike.
Studiuesit po matin në mënyrë të vazhdueshme emetimet e CO2 dhe metanit nga parcelat me oriz dhe po i krahasojnë ato me tokat ku vazhdon të rritet bari, për të kuptuar nëse përfitimet mjedisore janë realisht më të mëdha se ndikimet e mundshme të kultivimit të orizit.
Rezultatet e para konsiderohen premtuese.
Problemi i tokave torfike nuk kufizohet vetëm te Holanda. Sipas studiuesve, ai prek edhe zona të Gjermanisë, Belgjikës dhe vendeve baltike.
Oriz holandez për sushi dhe sake
Eksperimenti ka tërhequr edhe interesin e restoranteve lokale, të cilat shohin mundësinë e përdorimit të një orizi premium të prodhuar në vend.
Varieteti që po korrët aktualisht vjen nga veriu i Japonisë dhe duket se është ndër më të përshtatshmit për kushtet holandeze. Një pjesë e prodhimit eksperimental të vitit të kaluar është përdorur për të provuar përgatitjen e sushit dhe madje edhe të sake-s.
“Është pak elastik në përtypje, por shumë i mirë”, tregon Guusje van der Vossen, e cila ka provuar një nga sasitë e para të orizit të rritur në Holandë.
Për momentin, bëhet fjalë vetëm për një eksperiment të vogël. Por për studiuesit dhe fermerët e përfshirë, ideja tregon se ndryshimi i klimës mund të detyrojë bujqësinë evropiane të mendojë për kultura që dikur dukeshin të pamundura.
