Last Updated on 24/10/2026 by Leonard
Deputetja Selami: “Iku pa zhurmë, ashtu siç jetoi, me dinjitet, ndershmëri dhe parime të larta njerëzore”
Nga Mentor HOXHA
Komuniteti shqiptar i Francës u trondit këto ditë nga vdekja e gazetarit dhe mësuesit me një eksperiencë 50 vjeçare Tofik Kurti nga Dibra. Ai ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë me 18 tetor në Annency në moshën 72 vjeçare duke lënë një boshllëk të madh te familja dhe tek të gjithë ata që e kanë njohur.
Si pjesëtar i këtij komuniteti ndjej dyfish dhimbje përshkak se Tofiku dhe unë kemi lindur në të njëjtën komunë në Shqipëri dhe kemi ndarë së bashku mendime dhe ide për një kohë të gjatë, sidomos gjatë vitit ‘97 kur unë punoja si gazetar te “Koha Jonë” për Qarkun e Dibrës dhe ai si aktivist i spikatur i Partisë Socialiste në zonën më të persekutuar të Shqipërisë në vitet e komunizmit siç ishte Fushë – Çidhna.
Pas ikjes sime në Francë në qershor të vitit 2016, ne nuk u takuam më. Në qershor 2025 marr një telefonatë prej tij ku më thotë se ndodhej në Francë tek familja dhe po bënte disa kontrolle mjekësore. “Më duket se ia hodha vdekjes edhe këtë herë, pasi ndihem shumë mirë pas mjekimeve në Francë ”.
Lajmin e trishtë e mora vesh tre ditë nga vdekja e tij nga një status në facebook nga miku ynë i përbashkët Hysen Uka.
Tofik Kurti lindi në Fushë Alie, Dibër. Për 50 vite punoi si mësues në Fushë-Alie, ndërkohë pati detyra të rëndësishme drejtuese në komunën e Fushë-Alie dhe ishte kryetar i PS në këtë komunë. Spikati edhe me disa reportazhe dhe artikuj që publikoi në shtypin lokal dhe qendror.
Karriera si mësues dhe gazetar e njohu me shumë intelektualë nga Dibra dhe më gjerë, ndërkohë angazhimi në Partinë Socialiste i krijoi edhe armiq dhe sfida të vështira në jetë, veçanërisht në vitin e mbrapshtë ‘97.
Me qetësinë absolute, pjekurinë intelektuale dhe vëmendjen për të dëgjuar cilindo, qoftë dhe kundërshtarët politik, ai bëri shumë miq të nderuar.
Për vdekjen e tij shprehën ngushëllime me dhjetra personalitete të njohura dibrane dhe më gjerë, si Alma Selami (deputete e PS-së për Qarkun e Dibrës), Sokol Sava (Kryetar i Këshillit Bashkiak, Dibër), Donika Hysenaj (Sekretare e Përgjithshme e Prefekturës, Dibër), Xhelil Cibaku (ish prefekt i Dibrës dhe ish kryetar i PS), Kadri Rrapi, (ish ministër), Naim Asllani (ish kryetar i PS), Ilir Spata (poet, studiues dhe ish kryetar i PD-së), Xhafer Martini (shkrimtar), Bardhyl Çeku (profesor dhe dekan), Vesel Hoxha (profesor dhe inxhinier gjeolog), Tajar Domi (profesor dhe gjuhëtar), Dr. Selman Mëziu, Elmaz Lala (ish Drejtor i Zyrës Arsimore), Liman Hoxha (Administrator i Shkollës private “Sarina” në Tiranë), Selman Shquti (profesor dhe specialist i njohur i gjelbërimit), Bujar Karoshi (botues dhe gazetar), Farzileta Xhika (pegadoge në SHBA), Hysen Uka (studiues dhe gazetar), Inajet Shehu, Besim Toçi, Sanie Batku, Osman Begu, Valentina Haliti Doda, Hasan M. Pasha, Besa Saraçi, Neshat Ndreu, Shaqir Çerpja, Nazmi M. Xhepa, Idriz Zogu, Hamit Lumi, Dali Horeshka, Fadil Meha, Abaz Cani, Medat Zogu, Jahe Delia Selmani (shkrimtar dhe poet), Ilmi Dervishi (poet dhe gazetar), Miftar Gjapi, Shkëlqim Gjoni, Irfan Zebi, Sabri Laçi, Tom Kaçorri, Astrit Kuka, Edmond Hasani, Fitim Mata, avokat Adem Ajdini, Neki Feta, avokat Ilir Lleshi etj. etj.
Alma Selami, deputete e PS-së:
“Iku pa zhurmë Tofiku, ashtu siç jetoi, me dinjitet, ndershmëri dhe parime të larta njerëzore”
E kam njohur si mikun e babit tim dhe socialistin e orëve të para, si një njeri që punoi pa kushte për Partinë Socialiste në Dibër, por që kurrë nuk e pranoi të pandershmen dhe nuk bëri kompromis me parimet e tij. Edhe me heshtje fliste shumë!
Në një kohë kur vlerat dhe parimet duket sikur janë ngatërruar, unë e vlerësoj edhe më shumë qëndrimin e tij, besnikërinë ndaj bindjeve, idealeve dhe integritetin njerëzor.
Mbi të gjitha, Tofiku ishte një familjar dhe prind model, një njeri që la gjurmë me atë që ishte dhe jo me zhurmën që bënte.
Do të kujtoj me respekt e mirënjohje, për njeriun, për parimet dhe për gjithçka që përfaqësove.
Ngushëllime fëmijëve, të afërmve e miqve! U prehsh në paqe, Tofik! ”
Hysen Uka:
“Tofik Kurti, një shpirt i dlirë për hapsirat qiellore”
Pas aq shumë mundimesh, shkove të pushosh shoku im… Tashmë trupi dhe shpirti yt i lodhur, do bjerë në paqe. Herën e fundit që të takova më dhe një shenjë ikje, por nuk më bënte zemra ta besoja. Nuk pranove kurrë të bësh miqë e shok sojsëzët, të pander e të pamoral.
Jetove kohë të trazuara, kohë ndryshimesh e trazirash të mëdha, kohë kur qenë të paktë njerëzit që nuk u përkulën, nuk u zhburrnuan, kohë kur shumë shokë e miq na u larguan, hoqën dorë nga morali e ideali dhe nga mbartës të këtyre vlerave, shumë prej tyre u bënë “pehlivan politik”, iu përveshën lakmisë e fitimit, u bënë reptil e zvarranik, për të marrë ndonjë ofiq apo tendër. Por ti kurrë nuk e pranove këtë llojë “përshtatje”, këtë deformim, kurrë nuk vure maska e nuk u tjetërsove.
Ti Tofik, e përkrahe demokracinë si ideal si një sistem për një “shoqëri të lirë, të drejtë e të begatë” si një të mirë për të ardhmen e Shqipërinsë, e jo si një zbrastësi kaotike, si një pellg të turbullt ku mund të peshkosh e përfitosh. Ti ke marrë edhe shumë brenga me vete i urti, idealisti ynë i paepur Tofik.
Kemi qenë gjatë pranë njëri-tjetrit si në udhëtimin tonë politik, por edhe shoqërore e familjarë, kemi ndarë bashkë shumë nga shqetësimet, mundimet, dhunën dhe të pabërat që ke hequr ti dhe familja jote e “damkosur si socialiste”. Por “neosocialistët mavi” nuk duan të dëgjojnë e të dijnë për këto, madje bezdisen dhe u tjetërsohet aroma e parfumit, kur u përmend e u flet për “xhaketat e vjetra”.
Ti e le atdheun tonë në epokën e “tangave” të mëndafshta, ku, i kohës quhesh të zhvishesh nga çdo vlerë morale, ku interesi dhe përfitimi i ka vënë nënkëmbë dinjitetin, nderin, dhimbshmurinë, njerzoren
Të janë bërë edhe shumë padrejtësi, pabesi, besprerje, shumë të kanë hyrë në hak nga ata, me të cilët na kish bashkuar udha jonë politike, por ti kurrë nuk zbrite në llumin e zi, në pellgun e ndryrë të tyre, nuk u zhgrryve kurrë në baltën e tyre, jetove dhe ike i pastër, si një shnjtor. Tashmë ata, sot që “shpëtuan prej teje”, në skutat e ndërgjegjes së tyre ndoshta do të ndjejnë një barrë pendimi, ndoshta do të të kenë të “varur në qafë” deri sa të vijnë atje ku pushon ti, nën këmbët tuaja, dhe besoj përsëri ti do të tregohesh zemër gjërë, do ti falësh, se je socialist organik, i lindur të mirë.
Ti zgjodhe të japësh frymën e fundit i paharruari ynë Tofik, larg Çidhnës, larg Peshkopisë, larg Dibrës, larg Shqipërisë tënde që e deshe me të gjitha fuqitë e shpirtit. Zgjodhe të japësh frymën e fundit aje në Francë, në një qytet të vogël të paqtë, në Annensy (Aix les Bains), buzë një liqeni, (liqenit Annensy), me Alpet përreth, mes gjelbrimit e qetësisë, atje ku ti kalove muaj tuaj të fundit, duke u lumturuar me kioskat e librave përgjatë shëtitorës së liqenit, me cicërimat e mbesave dhe të nipërve, ai qytet do të kujtohet gjithmonë si “aeroporti”, ku ti shoku ynë ike në pafundësit qiellore, një aeroport i denjë ku nisin fluturimin shpirtra të dlirë. Ike në paqe, i rrethuar me dashuri e respektin e familjes, për të fluturuar si një gjethe e këputur e për të ardhur të pushosh në atdhe. Na i bëj hallall gabimet e mërzitjet që mund të të kemi krijuar i paharruari ynë Tofik.
Do të të kujtojmë, do të qeshim, e do të të nderojmë përgjithmonë.
Donika HYSENAJ, Sekretar e Përgjithshme e Prefekturës Dibër: “Më vjen shumë keq për ikjen e parakohshme nga jeta e Tofikut. E takoja e ndanim një kafe e muhabet bashkë me të. Kishe shumë çfarë mësoje prej tij, njeri i respektuar, i mençur, me integritet, e profesionist i shkëlqyer. Do i mungojë familjes, qytetit tonë, shoqeve e shokëve.”
Kadri RRAPI, ish ministër dhe ish Kryetar i PS-së Dibër: “Lamtumirë Tofik Kurti, miku im i dashur! Njerëzit e mirë nuk ikin kurrë, sepse mbeten përjetë në zemrat dhe kujtimet tona. U prehtë në paqe shpirti yt i dlirë!
Bujar KAROSHI, botues dhe gazetar : “Ngushëllime për ikjen e Tofikut… Një njeri i mirë, i urtë, i qetë. Ashtu siç kishte zërin, kishte edhe sjelljen. I matur dhe i drejtë. Edhe në ditët e vështira nuk e humbi gjykimin. Një ikje që na kujton se njeriu nuk ka lumturi më të madhe se të lërë pas kujtimin e mirë. Atë që duhet të lërë pas çdo njeri. Edhe në ditët e vështira, kur armët e kërcënuan me jetë, ai nuk e humbi durimin dhe besimin. Sot na pikëllon shumë ikja e tij, por njëkohësisht edhe jemi krenar që kemi qenë udhëtarë me të, duke na lënë një kujtim të mirë, por edhe duke na kujtuar në këto ditë me trazira, se asgjë nuk është e përjetshme në këtë jetë dhe se asgjë nuk merr me vete, përveçse të lësh një kujtim të mirë! Ngushëllime fëmijëve të Tofikut! Jini krenar për babain tuaj, që ju ka lënë kaq dashuri dhe gëzim! Të rroni e ta kujtoni mot e jetë! ”
Elmaz LALA, Ish drejtor në Seksionin e Arsimit në Dibër. “Ishte njeri, koleg e veprimtar i veçantë, me kontribute të shënuara në zhvillimin e arsimit në zonën e Çidhnës. I papërkulur në situatat nga më të vështirat, idealist e besnik i parimeve e bindjeve të tij, qëndrestar si pakkush, shok e mik nga më të mirët.”
Sanie BATKU: “Ishte dhe kështu do të mbahet mënt, një burrë i qetë, logjik, mjaft i zoti dhe me dëshirën e mirë për të respektuar këdo. Respekte për emrin e mirë që la pas”.
Besa SARAÇI: “Ai ishte një njeri fisnik dhe një intelektual me integritet që la kujtime të mira nuk do harrohen kurrë. Shpirti i tijë u prehte në paqe.”
Selman SHQUTI, profesor, agranom dhe specialist i njohur i gjelbërimit: “Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe gjithë të afermëve për ndarjen nga jeta të mikut të paharruarit Tofik Kurti, një edukator e veprimtar i shquar në komunitet e më gjerë do mbetet e jetojë.”
Osman BEGU: “Kemi qenë shok dhe miq të pandarë! U njohëm në ditë të vështira, luftuam së bashku me plot shokë e miq që ju i donit dhe respektonit pafundësisht. Luftëtar i pa epur, bujar dhe mikpritës si rrallë kush. I thjeshtë, modest, trim dhe i dashur! Do të kujtojmë me shumë mall, i dashur Tofik! Fëmiljët bënë të pa mundurën për babain e tyre për shumë kohë në spitalet franceze por sëmundja e rëndë nuk toleron”
