Pas pjesëmarrjes në aktivitetet e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, do të nisë sot një vizitë dyditore në Meksika.
Gjatë qëndrimit të tij, Wadephul do të takohet me homologun meksikan, Roberto Velasco, me të cilin pritet të bashkëkryesojë mbledhjen e Komisionit Dypalësh Gjermano-Meksikan.
Në fokus të bisedimeve do të jenë marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik, në një kohë kur Meksika konsiderohet një partner kyç i qeverisë gjermane në Amerikën Latine. Të dy vendet ndajnë gjithashtu interesa të përbashkëta në mbështetje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Vizita do të nisë me një ndalesë në Templo Mayor, një nga monumentet më të rëndësishme historike të Meksiko Siti. Ministri gjerman do të vizitojë gjithashtu muzeun e lidhur me tempullin dhe zonën arkeologjike përreth.
Templo Mayor ishte dikur qendra më e rëndësishme fetare e Tenochtitlan, kryeqytetit të lashtë të Perandorisë Azteke, që ekzistoi nga viti 1325 deri në vitin 1521.
Në ditën e dytë të vizitës, Wadephul pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të vizitojë Goethe-Institut Mexico, qendrën kulturore gjermane në Meksiko Siti./mxh
