Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar së fundmi se do të japë dorëheqjen në datën 27 shtator. Gjatë një interviste të dhënë për “Tv Pink”, presidenti serb, vendi i të cilit pritet të shkojë më 25 tetor në zgjedhje, ka njoftuar se do të largohet nga posti i presidentit sapo të kthehet nga Nju Jorku, ku dhe do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Sipas tij, ky vendim ka ardhur nga dëshira që ka për të kandiduar në zgjedhjet e 25 tetorit si një qytetar i thjeshtë dhe pa mbajtur mbi shpatulla peshën e funksionarit të lartë.
“Dua t’ju njoftoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen nga posti i presidentit. Atë mbrëmje do t’u drejtohem qytetarëve dhe do t’i falënderoj për mbështetjen. Kam qenë presidenti i Republikës për kohën më të gjatë që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në vendin tonë. Këtë nuk do të mund ta bëja pa qytetarët e këtij vendi. E vetmja gjë që mund të them është se i kam shërbyer me besnikëri Serbisë dhe qytetarëve të saj, me përkushtim dhe duke luftuar. Më pas do të shkoj në fushatën zgjedhore të 25 tetorit si një qytetar i zakonshëm”, u shpreh Vuçiç i cili pritet të kandiojë për Kryeministër.
Gjatë kësaj interviste ai ndau dhe disa fragmente të shkurtra nga plani i tij i fushatës, ku bëri me dije se do të shkojë në çdo fshat, madje dhe te ata më të largëtit për të biseduar me banorët dhe për t’iu kërkuar atyre votën.
“Kam marrë edhe një automjet, kam edhe makinën time. Kam marrë edhe një kamping, pasi nuk do të mund të fle kudo. Do të shkoj në fshatrat më të largëta, do të qëndroj deri vonë. Ka ende shumë fshatra ku nuk kam qenë. Dua të vizitoj edhe qytetet, të flas me njerëzit para dyqaneve, para lokaleve”, deklaroi ai.
