Last Updated on 16/10/2026 by EL
Për shekuj me radhë, Azia Qendrore ka qenë një pikë takimi e dijes shkencore, kulturës dhe shkëmbimit të ideve. Sot, Uzbekistani po përpiqet ta bëjë këtë trashëgimi më të njohur ndërkombëtarisht, përmes institucioneve kërkimore, koleksioneve muzeale, teknologjive digjitale dhe bashkëpunimit akademik.
Qytete historike si Samarkandi dhe Buharaja u shndërruan në qendra të rëndësishme të dijes, duke lidhur tradita të ndryshme intelektuale përgjatë Rrugëve të Mëndafshit. Në këtë hapësirë u zhvilluan dhe u përhapën njohuri që ndikuan në matematikë, astronomi, mjekësi, filozofi dhe mendimin fetar.
Kjo trashëgimi ishte në qendër të një konference ndërkombëtare të zhvilluar në selinë e UNESCO-s në Paris, ku morën pjesë mbi 300 persona, mes tyre studiues, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Aktiviteti u organizua nga Qendra e Qytetërimit Islam në Uzbekistan, në bashkëpunim me Delegacionin e Përhershëm dhe Komisionin Kombëtar të vendit pranë UNESCO-s, Ministrinë e Jashtme dhe disa institucione shkencore e kulturore.
Nisma lidhet me përpjekjet e presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, i cili në vitin 2017, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kërkoi njohje më të madhe ndërkombëtare për trashëgiminë intelektuale të Azisë Qendrore, duke theksuar rëndësinë e arsimit dhe tolerancës fetare.
Në një tjetër fjalim në OKB, në shtator të vitit 2025, Mirziyoyev propozoi prezantimin e trashëgimisë shkencore dhe shpirtërore të dijetarëve të mëdhenj të rajonit në skena të rëndësishme ndërkombëtare. Konferenca në Paris, së bashku me prezantimet në selitë e OKB-së në Nju Jork dhe Gjenevë, është pjesë e këtij programi.
Një trashëgimi që kapërcen kufijtë
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua Mawarannahr-it, i njohur historikisht si Transoksiana, rajoni midis lumenjve Amu Darya dhe Syr Darya, që përfshin pjesën më të madhe të Uzbekistanit të sotëm dhe zona të vendeve fqinje të Azisë Qendrore.
Kjo hapësirë ka nxjerrë ose ka tërhequr dijetarë, veprat e të cilëve kanë ndikuar në traditat intelektuale të botës islame dhe më gjerë. Mahmud Erol Kılıç, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Kërkimore për Historinë, Artin dhe Kulturën Islame (IRCICA), vuri në pah kontributin e Al-Khwarizmit, Al-Farabiut, Ibn Sinës dhe Al-Birunit.
Veprat e tyre pasqyrojnë një traditë studimore ku matematika, mjekësia, filozofia dhe studimet fetare u zhvilluan përmes shkëmbimit të njohurive ndërmjet rajoneve të ndryshme.
Edhe Farhan Ahmad Nizami, drejtor i Qendrës së Studimeve Islame në Oksford, theksoi se monumentet historike të rajonit dëshmojnë një histori më të gjerë krijimtarie dhe shkëmbimi kulturor.
“Qytetërimet nuk zhvillohen të izoluara. Ne ndikojmë te njëri-tjetri dhe ky është një mesazh që duhet ta ndajmë, për të kuptuar se kemi shumë më tepër gjëra të përbashkëta sesa elemente që na ndajnë”, deklaroi për Euronews Salima Dalibey, përfaqësuese e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik.
Ndërsa Mehrdad Shabahang, drejtues i Programit të Rrugëve të Mëndafshit pranë UNESCO-s, vuri në dukje rolin e institucioneve kërkimore në dokumentimin e kësaj historie të përbashkët.
“Qendra të tilla, si Qendra e Qytetërimit Islam në Uzbekistan, mund të na ndihmojnë të identifikojmë, dokumentojmë dhe promovojmë të kaluarën dhe historinë tonë të përbashkët”, u shpreh ai.
Firdavs Abdukhalikov, drejtor i Qendrës së Qytetërimit Islam, theksoi gjithashtu rëndësinë universale të kësaj trashëgimie. “Trashëgimia kulturore dhe paraardhësit tanë të mëdhenj i përkasin gjithë botës”, tha ai për Euronews.
Përtej një muzeu tradicional
Në qendër të kësaj nisme qëndron Qendra e Qytetërimit Islam në Tashkent, muzeu i së cilës paraqet, sipas institucionit, më shumë se 3 000 vjet histori të territorit të Uzbekistanit të sotëm.
Veprimtaria e saj përfshin studimin e dorëshkrimeve të rralla dhe objekteve historike, si dhe përdorimin e teknologjive digjitale për të mbështetur kërkimin shkencor dhe për t’i bërë koleksionet të qasshme për një publik më të gjerë.
Abdukhalikov theksoi se qëllimi i institucionit shkon përtej ekspozimit të objekteve historike.
“Nuk është thjesht një ndërtesë e bukur dhe e madhe apo një muze. Është një platformë e rëndësishme për studimin shkencor dhe edukimin”, tha ai.
Frédérique Beaupertuis-Bressand, specialiste e historisë dhe artit të dinastisë së Timurit, e cilësoi muzeun një burim të vlefshëm për studiuesit dhe vizitorët.
“Më në fund, kulturës po i jepet rëndësia që meriton. Ne mund t’i shohim këto objekte, t’i prekim dhe t’i studiojmë”, u shpreh ajo, duke theksuar se qasja në koleksione krijon mundësi të reja për kërkime historike.
Qendra është pjesë e një rrjeti më të gjerë institucionesh të specializuara, ku përfshihen edhe qendra kërkimore ndërkombëtare kushtuar Imam Buhariut, Imam Termiziut dhe Imam Maturidiut.
Sali Shahsivari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Al-Furqan për Trashëgiminë Islame, përshëndeti zgjerimin e këtyre institucioneve, duke vlerësuar se ato po ndihmojnë në rritjen e vëmendjes ndaj trashëgimisë kulturore të rajonit.
Diskutimet në Paris u përqendruan gjithashtu te mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar në kërkimin shkencor, përfshirë studimet e përbashkëta, digjitalizimin e burimeve historike dhe forcimin e lidhjeve mes institucioneve akademike. Qendra prezantoi edhe përdorimin e teknologjive digjitale dhe inteligjencës artificiale për studimin dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore.
Përtej kërkimit shkencor, pjesëmarrësit shqyrtuan edhe mënyrat se si njohja më e mirë e trashëgimisë së përbashkët mund të nxisë dialogun mes shoqërive të ndryshme.
“Jetojmë në një kohë kur gjuha e urrejtjes përhapet shumë shpejt. Mundësitë për t’u ulur së bashku, për të folur, shkëmbyer ide dhe zhvilluar dialog i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të përgatiten për një kulturë paqeje”, deklaroi Salima Dalibey për Euronews.
