Last Updated on 20/08/2025 by adminfjala
Shtatë viktima nga aksidentet rrugore. Ky është bilanci tragjik i 20 ditëve të para të gushtit. Tre prej viktimave janë shënuar në Fier. Ky qark, regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve me pasoja fatale në jetë njerëzisht. Gjithashtu aksidente me viktima në këto 20 ditë Gushti janë regjistruar në Vlorë, Durrës, Berat dhe Shkodër. Shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimet e gabuara janë bërë shkak i përgjakjes së rrugëve.
FIER – Më 6 Gusht, dy automjete u përplasën në rrethrrotullimin e Levanit. Fatkeqësisht një prej shoferëve ndërroi jetë në vendngjarje.
FIER – Mesditën e 8 Gushtit një automjet përfundoi jashtë rruge në Fier. Katër persona u plagosën, por një 15-vjeçar fatkeqësisht ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital.
VLORË – Një tjetër aksident fatal u shënua mesditën e 8 Gushtit në Konispol. Një 74-vjeçar me inicialet U.Ç., i cili po drejtonte një motor, u përplas nga një tjetër. Për pasojë i moshuari humbi jetën në vendin e ngjarjes.
DURRËS – Më 11 Gusht një 70-vjeçar u përplas nga një automjet në Durrës. Fatkeqësisht i moshuari nuk i mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë në duart e mjekëve.
BERAT – Më 17 Gusht, në Moravë të Beratit, 29-vjeçari Ornel Caushaj humbi kontrollin e automjetit dhe për pasojë humbi jetën. Bashkëshortja e tij dhe vajza e mitur shpëtuan mrekullisht me lëndime të lehta.
SHKODËR – Një aksident tragjik u shënua edhe të hënën e 18 Gushtit në Shkodër. Një kamion përplasi dy makina. Altin Luli 47 vjeç, humbi jetën ndërsa bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur shpëtuan mrekullisht. Shkak i aksidentit u bë një parakalim i gabuar.
FIER – Një tjetër aksident tragjik u shënua më 19 Gusht në aksin Fier-Patos. 30-vjeçari Gazmend Gropa, i apasionuar pas motorave dhe shpejtësisë, u aksidentua me një automjet. Për fat të keq ai ndërroi jetë sot në spital. Të lënduar nga ky aksident mbetën shoferi dhe pasagjerja në makinën që u përfshi në këtë ngjarje rrugore. Burimi: Newsbomb m.p.
