Nga mënyra e të ushqyerit, te niveli i stresit e deri te aktiviteti fizik, zgjedhjet që bëjnë baballarët nuk ndikojnë vetëm në klimën familjare, por edhe në shëndetin metabolik dhe kardiak të fëmijëve.
Zakonisht flitet shumë për lidhjen nënë–fëmijë dhe ndikimin e saj në zhvillimin dhe sjelljen e të vegjëlve. Por çfarë roli luan babai? Një studim i publikuar në revistën shkencore Health Psychology ka vendosur në qendër pikërisht këtë figurë shpesh të nënvlerësuar, duke analizuar sjelljen e baballarëve gjatë fëmijërisë së hershme dhe ndikimin e saj në shëndetin e ardhshëm të fëmijëve.
Rezultatet treguan një lidhje të dukshme, edhe pse jo një marrëdhënie të drejtpërdrejtë shkak-pasojë, mes stilit prindëror të babait dhe shëndetit kardiak e metabolik të fëmijëve në rritje. Një detaj interesant ishte se e njëjta lidhje nuk u vu re në të njëjtën mënyrë për nënat.
Baballarë konkurrues, fëmijë më të rrezikuar
Studiuesit ndoqën 292 familje për një periudhë të gjatë, duke vëzhguar ndërveprimin mes babait, nënës dhe fëmijës. U vu re se baballarët që tregoheshin të ndjeshëm dhe të vëmendshëm ndaj foshnjës në moshën 10 muajshe, ishin më bashkëpunues dhe më pak konkurrues me nënën kur fëmija mbushte 2 vjeç.
Në të kundërt, baballarët më pak të përfshirë në fillim, kishin tendencë të kërkonin më shumë vëmendjen e fëmijës më vonë, shpesh duke hyrë në një lloj gare me nënën.
Kur fëmijët arritën moshën 7-vjeçare, ata iu nënshtruan analizave që matnin disa tregues metabolikë dhe inflamatorë. Fëmijët që ishin rritur në një ambient ku prindërit konkurronin mes tyre, rezultuan më të prirur ndaj problemeve me shëndetin kardiak dhe metabolik.
Po roli i nënës?
Interesant është fakti se i njëjti model, kur u aplikua për nënat, nuk dha të njëjtat rezultate. Kjo nuk do të thotë se roli i nënës është më pak i rëndësishëm. Përkundrazi, studiuesit theksojnë se përfshirja pozitive e babait gjatë fëmijërisë përmirëson mirëqenien e gjithë familjes.
Pse ndodh kjo?
Ekspertët japin dy shpjegime të mundshme. Së pari, baballarët mund të reagojnë më emocionalisht ndaj tensioneve me partneren, duke u bërë një burim stresi që ndikon indirekt tek fëmija.
Së dyti, duke qenë se fëmijët zakonisht kalojnë më shumë kohë individuale me nënën, ata mund të jenë më të ndjeshëm ndaj mënyrës se si sillet babai në kontekstin e familjes. Ky studim nxjerr në pah rëndësinë e një marrëdhënieje të shëndetshme dhe bashkëpunuese mes prindërve. Një baba i përfshirë, i qetë dhe mbështetës nuk ndikon vetëm në harmoninë familjare, por edhe në shëndetin afatgjatë të fëmijës.
