Tom Hardy është sot një nga emrat më të njohur të kinemasë botërore, por rruga drejt suksesit ka qenë larg të qenit e lehtë. Aktori britanik, i famshëm për rolet në filma si Inception, The Revenant dhe Mad Max: Fury Road, ka kaluar vite të vështira të mbushura me varësi, probleme personale dhe përplasje profesionale.
48-vjeçari ka treguar në intervista të ndryshme se problemet nisën që në adoleshencë. Ai u përjashtua nga një shkollë private pasi u përfshi në vjedhje dhe shumë herët pati kontakte me policinë për shkak të sjelljeve problematike.
Hardy ka pranuar gjithashtu se përdorimi i alkoolit dhe drogës nisi në moshë të re, ndërsa me kalimin e kohës situata u përkeqësua. Në një periudhë të errët të jetës së tij, aktori u përfshi edhe me substanca të forta narkotike, përfshirë crack-un.
Kulmi i krizës erdhi në vitin 2003, kur ai humbi ndjenjat në Londër pas konsumimit të drogës. Pas këtij episodi, me ndihmën e familjes, Hardy vendosi të hynte në rehabilitim dhe të kërkonte ndihmë profesionale.
Që nga ajo kohë, ai ka qëndruar larg alkoolit dhe drogës, ndërsa aktrimin e ka konsideruar si mënyrën që i ndryshoi jetën dhe i dha një drejtim të ri.
Ndërkohë, emri i aktorit është rikthyer së fundmi në titujt e mediave për shkak të raportimeve mbi tensione gjatë realizimit të serialit MobLand. Sipas mediave britanike, marrëdhëniet e tij me producentët dhe stafin nuk kanë qenë të qeta, duke ngritur dyshime nëse ai do të jetë pjesë e sezonit të ardhshëm.
Burime pranë produksionit pretendojnë se Hardy shpesh vonohej në xhirime, kërkonte ndryshime në skenar dhe kishte mosmarrëveshje për drejtimin artistik të projektit. Gjithashtu, raportimet sugjerojnë se aktori nuk ishte i kënaqur me fokusin që seriali po u jepte personazheve të interpretuar nga Helen Mirren dhe Pierce Brosnan.
Sipas mediave, tensionet në prapaskenë kanë shqetësuar edhe vetë Helen Mirren.
Kjo nuk është hera e parë që Hardy përballet me konflikte gjatë xhirimeve. Edhe gjatë realizimit të Mad Max: Fury Road u raportua për përplasje të forta mes tij dhe aktores Charlize Theron.
Përveç sfidave profesionale, aktori ka folur hapur edhe për problemet shëndetësore që i kanë sjellë rolet intensive aksion. Ai ka përmendur ndërhyrje në gjunjë, probleme me shtyllën kurrizore dhe nervin shiatik, duke lënë të kuptohet se mund të marrë një pauzë nga aktrimi për t’u rikuperuar fizikisht./mxh
