Ngrohja globale jo vetëm që po vazhdon, por ritmi i saj po përshpejtohet ndjeshëm, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Geophysical Research Letters.
Studiuesit zbuluan se gjatë periudhës 2015–2025, temperatura globale u rrit me një ritëm prej rreth 0.35°C për dekadë, krahasuar me afërsisht 0.2°C për dekadë gjatë viteve 1970–2015. Kjo tregon një përshpejtim të konsiderueshëm të ngrohjes së planetit.
Për të dalluar ndikimin afatgjatë nga luhatjet natyrore, shkencëtarët analizuan pesë grupe të ndryshme të të dhënave globale të temperaturës dhe filtruan faktorë si El Niño, aktiviteti diellor dhe shpërthimet vullkanike. Sipas studimit, evidenca për përshpejtimin e ngrohjes ka një siguri statistikore prej mbi 98%.
Rezultatet shtojnë shqetësimet rreth objektivit të Marrëveshjes së Parisit, e cila synon kufizimin e ngrohjes globale në 1.5°C mbi nivelet paraindustriale.
Sipas bashkautorit të studimit, Stefan Rahmstorf, nëse ritmi i ngrohjes i regjistruar gjatë dhjetë viteve të fundit vazhdon, tejkalimi afatgjatë i kufirit prej 1.5°C mund të ndodhë përpara vitit 2030.
Studiuesit theksojnë se ritmi me të cilin planeti do të vazhdojë të ngrohet varet në masë të madhe nga shpejtësia me të cilën reduktohen emetimet globale të CO₂ nga lëndët djegëse fosile.
Gjetjet ofrojnë kështu një sinjal të rëndësishëm: sfida nuk është më vetëm fakti që planeti po ngrohet, por se ngrohja mund të jetë duke ndodhur më shpejt se në dekadat e mëparshme./ad
