Kontrolli i Ngushticës së Hormuzit mbetet një nga pikat më kritike në bisedimet e drejtpërdrejta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që po zhvillohen në Islamabad, shkruan “Financial Times”.
Sipas mediave ndërkombëtare, ndërsa diskutimet mes delegacioneve vazhdojnë, kërkesa për rihapjen dhe menaxhimin e ngushticës së Hormuzit është kthyer në një nga çështjet kryesore të debatit.
“Financial Times” raporton se Irani këmbëngul në ruajtjen e kontrollit mbi këtë rrugë strategjike detare, si dhe në mundësinë e vendosjes së taksave për anijet që kalojnë përmes saj.
Nga ana tjetër, negociatorët iranianë kanë refuzuar opsionet për një “kontroll të përbashkët”, pavarësisht takimeve të nivelit të lartë, përfshirë edhe diskutimet mes zëvendëspresidentit amerikan J. D. Vance dhe liderit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf.
Pritet që negociatat të vijojnë edhe në orët në vijim, ndërsa sipas “Al Jazeera”, bisedimet mund të zgjasin gjatë gjithë natës. Gjatë një pushimi të shkurtër, palët kanë shkëmbyer mesazhe dhe janë shprehur se mund të ketë një pikë kontakti të mundshme.
Delegacioni iranian ka zhvilluar gjithashtu takime të ngjeshura me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif përpara nisjes së negociatave, ndërsa jashtë vendit të takimit gazetarët raportojnë lodhje dhe mungesë të një përparimi konkret./mxh
