Një film i Nicolas Cage që ende nuk ka dalë për publikun është bërë objekt i një konflikti të madh ligjor me Netflix. Producentët e “Fortitude” kanë ngritur padi ndaj kompanisë së transmetimit, duke pretenduar se një kopje e filmit është zhdukur nga ambientet e Netflix në Los Angeles.
Sipas padisë, dëmi i pretenduar arrin në të paktën 105 milionë dollarë. Bëhet fjalë për një thriller spiunazhi me sfond Luftën e Dytë Botërore, i realizuar me një buxhet rreth 45 milionë dollarë dhe ku Cage luan një prej roleve kryesore.
Përplasja nisi pasi Netflix kërkoi ta shihte filmin përpara se të vendoste nëse do të merrte të drejtat e tij. Kopja iu dorëzua kompanisë më 15 qershor 2026 dhe shfaqja u zhvillua të nesërmen.
Producentët pretendojnë se, pas përfundimit të shfaqjes, materiali duhej të fshihej dhe kopja fizike të kthehej. Në vend të kësaj, ata thonë se disku u vodh nga zyrat e kompanisë.
Sipas palës paditëse, incidenti ka krijuar një problem serioz për të ardhmen e filmit. Nëse “Fortitude” qarkullon ose publikohet në mënyrë të paligjshme përpara premierës, vlera e tij në treg mund të bjerë ndjeshëm dhe mund të dëmtohet ekskluziviteti që lidhet me daljen zyrtare.
Netflix i ka kundërshtuar pretendimet. Kompania argumenton se filmi ishte dorëzuar pa masat e sigurisë që konsiderohen të zakonshme në industrinë e filmit dhe thekson se nuk zotëron të drejtat e “Fortitude”.
Tashmë çështja pritet të zgjidhet në gjykatë, ndërsa fati i filmit mbetet i lidhur me këtë përplasje mes producentëve dhe gjigantit të streaming-ut./mxh
