Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja ka bërë me dije përmes një postimi në rrjetet sociale se ka nisur puna për rilindjen e Kalasë së Elbasanit. Llatja shprehet se ky është hapi i parë drejt transformimit të një lagjeje historike.
Ky projekt sipas tij synon t’i japë Kalasë një jetë të re, duke ruajtur autenticitetin historik dhe duke i hapur rrugë zhvillimit të qëndrueshëm kulturor, turistik dhe ekonomik.
Postimi i plotë:
Nis puna për rilindjen e Kalasë së Elbasanit! Hapi i parë drejt transformimit të një lagjeje historike!
Zhvilluam sot takimin e parë të punës për Analizën Fillestare të lagjes Kala të Elbasanit, ku diskutuam me ekspertët qasjet strategjike dhe vizionare për rikualifikimin dhe rijetëzimin e kësaj zone unike.
Në fokus të diskutimit ishte koncept-idea e projektimit, një udhërrëfyes i ri që synon t’i japë Kalasë një jetë të re, duke ruajtur autenticitetin historik dhe duke i hapur rrugë zhvillimit të qëndrueshëm kulturor, turistik dhe ekonomik.
BID Elbasan, në bashkëpunim me AADF, po ndërton një vizion të përbashkët për ta shndërruar lagjen Kala në një destinacion referencë, një hapësirë të gjallë dhe të lidhur fuqishëm me identitetin e qytetit. Një fillim i rëndësishëm për një projekt me ndikim të madh në të ardhmen e Elbasanit./K.M
