Ceremonia e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, një ngjarje që duhet të promovjë arritjet letrare të një viti në vend, këtë herë nuk u mbyll vetëm me emrat e tre fituesve, por la pas edhe pikëpyetje e debate.
Ndryshe nga një vit më parë, ku u ndanë çmime për gjashtë kategori, këtë herë u dhanë vetëm tre çmime, me të cilat u vlerësua romani “Epope intime” nga Enit Karafili, çmimi i përkthimit për përkthimin e veprës “Retorika” të Aristotelit nga Romeo Çollaku dhe çmimi për veprën më të mirë studimore për “Krijimi letrar në proces” nga Anila Mullahi (Elezi).
“Kjo strukturë realisht e përjashton poezinë, letërsinë për fëmijë dhe prozën e shkurtër si kategori të veçanta.”, thotë studiuesi Behar Gjoka.
Por Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, argumenton se ndarja e vetëm tre çmimeve u bë pas një analize profesionale dhe nuk synonte përjashtimin e asnjë zhanri letrar.
“Çmimet kombëtare të letërsisë kanë pësuar ndër vite ndryshime strukturore, në varësi të prurjeve dhe vlerësimeve të jurive. Ndryshimet e këtij viti erdhën pas propozimeve të jurive të mëparshme.”, thotë drejtuesja e QKLL-së, Alda Bardhyli.
Bardhyli sqaron se çmimi i madh i letërsisë përfshin të gjitha gjinitë kryesore, përfshirë poezinë.
“Poezia nuk është përjashtuar, sepse çmimi i madh përfshin librin më të mirë të botuar gjatë vitit, qoftë në poezi, tregim apo roman.”, vëren ajo.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej studiuesit Gjoka lidhet me rëndësinë e letërsisë për fëmijë dhe poezisë në formimin gjuhësor dhe kulturor të brezave të rinj.
“Letërsia për fëmijë është hallka lidhëse e brezit të ri me gjuhën dhe letërsinë shqipe. Nëse nuk e mbështesim, rrezikojmë vazhdimësinë kulturore.”, thekson Behar Gjoka.
Sa i përket letërsisë për fëmijë, Bardhyli thekson se kjo fushë mbetet një fokus i vazhdueshëm i institucionit.
“Ne çdo vit mbështesim autorë të letërsisë për fëmijë dhe kjo mbetet një prioritet për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.”
Por Gjoka thekson se ndryshimi i rregullave duhet të ishte bërë publik përpara nisjes së procesit të konkurrimit dhe jo gjatë tij./K.M
