Last Updated on 26/10/2026 by Klara
Në ceremoninë e zhvilluar në Garnizonin “Skënderbej” në Tiranë, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësoi vendimin e të rinjve për t’iu bashkuar ushtrisë, duke theksuar se shërbimi ndaj atdheut kërkon kurajë, përkushtim dhe gatishmëri për të përballuar sfida.
“Është emocion i veçantë për mua sot që të jem në këtë ceremoni, ku 250 djem dhe vajza, nga më të mirët që ka Atdheu, kanë vendosur t’i bashkohen Forcave të Armatosura. Nuk është vendimmarrje e lehtë. Do të keni shumë sfida dhe, në fund të tyre, do të jeni krenarë për veten tuaj!”, u shpreh ministri Nufi.
Ai nënvizoi se, përtej vështirësive dhe sakrificave që kërkon profesioni ushtarak, shërbimi ndaj vendit përfaqëson një përmbushje të veçantë profesionale dhe personale.
“Krenaria, gëzimi, si dhe kënaqësia profesionale dhe individuale që do të keni për t’i shërbyer Atdheut, është gjëja që do t’ju shoqërojë gjithë jetën”, theksoi ministri.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Stërvitja përfundon më 8 janar 2027
Stërvitja Individuale Bazë do të zhvillohet nga 26 tetori 2026 deri më 8 janar 2027, në qendrat stërvitore në Poshnje të Beratit, në Vau të Dejës dhe në Zall-Herr, pranë Regjimentit të Operacioneve Speciale në Tiranë.
Gjatë kësaj periudhe, rekrutët do të marrin njohuritë dhe aftësitë e para ushtarake, duke u përgatitur për sfidat e profesionit. Krahas përgatitjes fizike dhe profesionale, trajnimi synon të forcojë disiplinën, vetëbesimin dhe aftësinë për të vepruar në grup.
Për 250 kandidatët, kjo stërvitje shënon nisjen e një rrugëtimi të ri profesional në shërbim të vendit dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë./k.m
