Edhe Italia po planifikon të përfshijë në administratë zyrtarë me inteligjencë artificiale, por në rangje lokale.
E para e këtij lloji quhet Eva Statiella dhe në fund të qershorit do të emërohet si e para këshilltare me inteligjencë artificiale në bashkinë e Akui Termes në rajonin verior të Piemontes.
I cituar nga e përditshmja italiane Corriere Della Sera, kryebashkiaku Danilo Rapeti tha se projekti bazohet tek ministrja virtuale e Shqipërisë, “Diella”, e cila sipas tij është i pari rast në botë.
Në këtë fazë eksperimentale, “zyrtarja virtuale italiane” do të mbajë zyrtarisht delegimet për inteligjencën artificiale dhe tranzicionin digjital. Këshilltarja virtuale do të ketë një vend në kabinet dhe do të mund të flasë e të shprehë opinione.
Projekti synon të shtrihet më tej me krijimin e një “kryebashkiaku avatar” për t’iu përgjigjur qytetarëve në rrjetet sociale, si dhe me kalimin e detyrave përsëritëse të gjendjes civile dhe urbanistikës nën menaxhimin e inteligjencës artificiale.
Autoritetet lokale garantojnë se nuk do të ketë shkurtime të personelit. Qëllimi kryesor është që punonjësit njerëz të çlirohen nga burokratizmat rutinë, duke pasur më shumë kohë për trajnime dhe për t’u ofruar qytetarëve një shërbim më human./mxh
