Një grup prej 22 shtetesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara, vende të Bashkimit Europian dhe aleatë të tjerë si Australia, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku paralajmërojnë Iranin që të ndalojë menjëherë sulmet dhe veprimet kundër personave në territoret e tyre.
Në deklaratë thuhet se çdo përpjekje për të vrarë, rrëmbyer, kërcënuar apo frikësuar njerëz në territorin e këtyre shteteve përbën shkelje të sovranitetit kombëtar dhe të normave ndërkombëtare, dhe duhet të ndalet menjëherë.
Shtetet nënshkruese shprehen të bashkuara në mbrojtjen e qytetarëve të tyre dhe theksojnë se Irani duhet të ndalojë këto veprime pa vonesë. Sipas tyre, shërbimet iraniane të sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare dhe njësinë e saj të operacioneve të jashtme Quds Force, janë të përfshira në plane dhe veprime të dhunshme kundër disidentëve iranianë, gazetarëve dhe komuniteteve hebraike në vende të ndryshme.
Deklarata përmend gjithashtu përdorimin e grupeve kriminale ndërkombëtare për kryerjen e këtyre veprimeve në Europë, Amerikën e Veriut dhe Australi. Disa sulme dhe incidente janë lidhur me një grup të quajtur HAYI, i cili ka marrë përgjegjësi për disa sulme ndaj komuniteteve hebraike në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë dhe Holandë.
Në deklaratë përmenden edhe veprime konkrete në Australi, ku autoritetet kanë akuzuar Iranin për organizimin e sulmeve si zjarrvënia ndaj një sinagoge në Melbourne dhe një kafeneje kosher në Sydney.
Si pasojë, Australia ka dëbuar ambasadorin iranian dhe ka pezulluar aktivitetin e ambasadës së saj në Teheran.
Shtetet pjesëmarrëse theksojnë se qëndrojnë të bashkuara kundër këtyre kërcënimeve dhe kërkojnë që Irani t’i ndalojë menjëherë këto aktivitete që, sipas tyre, cenojnë sigurinë ndërkombëtare dhe stabilitetin e vendeve të tyre./mxh
