Last Updated on 20/10/2025 by Kesjana
Fekondimi artificial është një nga arritjet e shkencës për t’u mundësuar grave që për shkaqe të ndryshme nuk munden të sjellin në jetë një fëmijë, të bëhen nëna. Personazhe të famshëm kanë folur haptazi për këtë zgjedhje duke arritur që të bëhen nëna edhe pas të 40-ave. Në mjekësi, këto rezultate quhen mrekulli pasi arrihet kalimi i kufijve natyrorë dhe dritares së fertilitelit.
Gjinekologia Xhensila Omeri shpjegon në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan se fertilizimi in vitro (IVF) kryhet në dy forma.
Xhensila Omeri: Nëse IVF është me vezën e saj sepse këto gra në përgjithësi që nuk kanë dashur një shtatzëni në të 20-at apo 30-at e tyre i kanë ngrirë vezët e zëmë para 10 viteve dhe përdorin embrionet e ngrira për IVF ose mbi të 40-at në përgjithësi, shumica e grave nuk kanë mundësi që të kapin një vezë cilësore dhe përfundojnë me vezë të dhuruara.
Ajo vë në dukje se ky proces mund të rezultojë në një shtatzëni, por rreziqet që mbart janë të larta. Përqindja e suksesit ulet me vitet e moshës.
Xhensila Omeri: Edhe sikur të ngelë dhe implantimi të realizohet me sukses, udhëtimi i shtatzënisë, udhëtimi 9-mujor, ka shumë risqe në moshat e mëdha që ne i dimë shumë. E para është risku për abort, in vitro shkon shumë mirë dhe pas disa javësh fillon hemorragjia dhe jemi përballë një aborti spontan. Probleme me placentën, probleme si pre-eklampsia, probleme me diabetin e shtatzënisë dhe risk më vete, lindja para kohe. Pra, që ti në fund këtë shtatzëni ta çosh mirë apo të lindësh një bebe të suksesshme është një mrekulli dhe një përqindje shumë e vogël sepse çdo vit të moshës që gruaja është mbi të 40-at, ulet përqindja e këtij suksesi.
Gjinekologia thekson një veçori tjetër të fertilizimit artificial: heqjen e konceptit të mëmësisë natyrale duke ndryshuar ekuilibrat natyrorë dhe biologjikë.
Xhensila Omeri: Koncepti i mëmësisë nuk është porosisim një bebe në laborator, e duam me ngjyrë blu, e duam djalë sepse fertilizimi in vitro na i mundëson të gjitha këto, e duam pa këtë sëmundje sepse jemi mbartës ne. Ti e porosit në laborator me të gjitha ato “check, check”, dhe në fund, pas 9 muajve shkon e merr dhuratë. Këtë po bën fertilizimi in vitro, ka prishur shumë ekuilibra biologjikë, natyralë./kb
