Last Updated on 28/07/2026 by Monika
Një pikturë e realizuar në vitin 1611 duket se ka paraqitur me saktësi një sjellje të rrallë të një lakuriqi nate, shumë kohë përpara se shkenca ta vërtetonte. Në vepër shihet një nottola gigante (Nyctalus lasiopterus) duke kapur një zog në fluturim, një sjellje që u konfirmua zyrtarisht nga studiuesit vetëm në vitin 2025.
Prej rreth dy dekadash biologët dyshonin se kjo specie lakuriqi nate ushqehej me zogj gjatë fluturimit, por provat përfundimtare u publikuan vetëm këtë vit. Zbulimi mori një kthesë të papritur kur studiues spanjollë vunë re se një piktor flamand e kishte paraqitur këtë skenë gati katër shekuj më parë. Gjetjet e tyre janë botuar në revistën shkencore PNAS.
Piktura titullohet “Aria” dhe është realizuar nga piktori flamand Jan Brueghel i Vjetri në vitin 1611. Vepra është një alegori kushtuar elementit të ajrit dhe përfshin më shumë se 60 lloje zogjsh si edhe të paktën katër lakuriqë nate. Njëri prej tyre dallohet qartë si nottola gigante, falë karakteristikave të tij fizike: veshëve të shkurtër e të rrumbullakët, krahëve të gjatë e të ngushtë dhe gëzofit ngjyrë kafe në të kuqërremtë. Më e habitshmja është se ai paraqitet duke kapur në ajër një zog të vogël këngëtar, pikërisht sjellja që shkenca konfirmoi vetëm në vitin 2025.
Pas këtij zbulimi lind një pyetje intriguese: si mund ta dinte Brueghel një sjellje që ndodh natën dhe është pothuajse e pamundur të vëzhgohet me sy të lirë? Vetë autorët e studimit theksojnë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se piktori e kishte parë këtë skenë në natyrë. Veprat alegorike duhet të interpretohen me kujdes, pasi një element mund të jetë rezultat i imagjinatës artistike ose i një simbolike dhe jo domosdoshmërisht një përshkrim besnik i realitetit.
Megjithatë, fakti që në pikturë janë paraqitur pikërisht kjo specie lakuriqi nate dhe një zog këngëtar e bën të besueshme mundësinë që frymëzimi të ketë ardhur nga vëzhgime reale ose nga rrëfime të kohës. Brueghel jetoi për një periudhë edhe në Itali, ku kjo specie është e pranishme. Studiuesit mendojnë se ai mund të ketë dëgjuar për këtë sjellje nga natyralistë apo gjuetarë, ose mund të ketë parë mbetje zogjsh në vendet ku strehoheshin lakuriqët e natës, njësoj siç ndodhi pothuajse 400 vjet më vonë me biologun spanjoll Carlos Ibáñez, i cili hodhi bazat e hipotezës se kjo specie ushqehej me zogj.
Sipas studiuesve, rasti tregon se veprat artistike historike mund të përmbajnë informacione të vlefshme edhe për kërkimin shkencor. Me digjitalizimin e koleksioneve të muzeve dhe galerive në mbarë botën, këto piktura po bëhen gjithnjë e më të aksesueshme për studiuesit dhe mund të analizohen si nga ekspertët, ashtu edhe nga teknologjitë moderne të skanimit.
Autorët e studimit përfundojnë se burime të tilla historike mund të marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në kërkimin shkencor, duke nxjerrë në dritë të dhëna që deri më sot kanë mbetur të fshehura ose janë neglizhuar.
