jë zbulim i rëndësishëm shkencor shton mbi 100,000 kilometra në rrjetin rrugor të njohur deri më sot.
Nga Chiara Guzzonato
Një ekip studiuesish ka krijuar një hartë të re dixhitale që tregon me saktësi vendndodhjen e rrugëve të Perandorisë Romake rreth vitit 150 pas Krishtit, duke shtuar mbi 100,000 kilometra rrugë në krahasim me vlerësimet e mëparshme.
Në atë periudhë, Perandoria Romake shtrihej nga Britania e sotme deri në Egjipt e Siri, dhe ishte shtëpia e më shumë se 55 milionë banorëve.
Kërkimi, botuar në revistën shkencore Scientific Data, plotëson boshllëqet e hartave të deritanishme, të cilat ishin të paplota dhe me rezolucion të ulët, duke ofruar një pamje të re dhe më të gjerë të sistemit të jashtëzakonshëm rrugor të Romës së lashtë.
Projekti “Itiner-e”: një pasqyrë dixhitale e historisë
Për të ndërtuar Itiner-e, emrin që mban harta dixhitale e disponueshme sot falas në internet, studiuesit u mbështetën në një sërë burimesh: të dhëna arkeologjike dhe historike, harta topografike, si dhe imazhe satelitore moderne.
Në këtë mënyrë, ata arritën të vlerësojnë dhe përditësojnë rrjetin rrugor në një sipërfaqe prej gati 4 milionë kilometrash katrorë, duke identifikuar 299,171 kilometra rrugë – shumë më tepër se 188,555 kilometra të llogaritura më parë.
Zonat e harruara që zbuluan histori të reja
Sipas autorëve të studimit, ky rritje e madhe në të dhëna lidhet me vëmendjen e shtuar që iu kushtua Gadishullit Iberik (Spanjë-Portugali), Greqisë dhe Afrikës së Veriut, zona më parë më pak të eksploruara.
Një tjetër përmirësim i rëndësishëm ishte përshtatja e rrugëve të hipotezuara me realitetin fizik të terrenit – duke ndjekur logjikën e relievit malor dhe të luginave, në vend që të kufizohej në vizatime të drejta e abstrakte në hartë.
Saktësi dhe kufizime
Nga afro 300,000 kilometra të gjurmuar në total, më shumë se 100,000 kilometra i përkasin rrugëve kryesore, ndërsa rreth 200,000 kilometra janë rrugë dytësore.
Megjithatë, saktësia e vendndodhjes së tyre mbetet e pjesshme: studiuesit pranojnë se ajo është e pasigurt në 97.3% të rasteve dhe plotësisht hipotetike në 7.4% të tyre.
Përveç kësaj, Itiner-e nuk pasqyron ndryshimet që rrjetet rrugore pësuan gjatë shekujve – një detyrë që kërkon hulumtime të reja dhe të detajuara në nivel lokal.
Sipas profesorit të historisë së lashtë Ray Laurence,
“Itiner-e është një hartë shumë efektive për një përmbledhje të përgjithshme, por njëkohësisht nënvizon nevojën për krijimin e hartave lokale me një nivel më të madh detajesh.”
Një dritare e re mbi rrugët e Romës së lashtë
Falë kësaj harte, studiuesit dhe publikun kanë tani një mjet unik për të kuptuar më mirë si funksiononte infrastruktura romake, një rrjet që për shekuj me radhë i dha formë tregtisë, ushtrisë dhe kulturës në gjithë Mesdheun.
“Itiner-e” është dëshmi se teknologjia moderne mund të ndihmojë në rikthimin e së kaluarës, duke ndërtuar ura të reja mes historisë, gjeografisë dhe shkencës.
Burimi: focus.it/ Përgatiti: L.Veizi
