Sot, më 8 tetor, kompozitori i njohur shqiptar, Gjergj Leka, feston 64-vjetorin e tij të lindjes.
Gjergj Leka është një nga artistët e shquar shqiptar që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në muzikë.
Leka është një këngëtar, instrumentist, kompozitor i shquar, producent dhe prezantues.
Ai është një figurë me ndikim të madh në muzikën pop dhe të lehtë shqiptare, i njohur si për hitet e tij në vitet 1980 ashtu edhe për punën e tij të vazhdueshme si prezantues televiziv dhe producent festivalesh.
Ka një karrierë të pasur dhe mbahet mend si promovues i artistëve. Gjergj Leka është një artist me kontribut në Festivalin e Këngës më së shumti si kompozitor.

Shumë këngë të njohura të viteve ’80 janë të kompozuara prej tij, si “Për ty baba” e vitit 1985 e kënduar nga Bashkim Alibali, një vit më pas kënga “Shokë jete” e interpretuar nga Luan Zhegu, “Beso te dashuria”, apo edhe “Këngë pa fund është rinia” e vitit 1989 nën interpretimin e Frederik Ndocit.
Këto krijime shquhen për melodinë e tyre të ndjerë dhe tekstet me mesazh të thellë, duke u bërë pjesë e pandashme e repertorit të muzikës shqiptare.
Veprimtaria artistike e Gjergj Lekës është shtrirë edhe në dekadat pasuese, duke u pasuruar me videoklipe dhe bashkëpunime të ndryshme.
Gjergj Leka ka qenë pjesëmarrës i rregullt në festivalet më të rëndësishme muzikore shqiptare.
Në nëntor 2013 ai mori pjesë në Kënga Magjike me këngën “Po të lë një letër”, duke u renditur në vendin e 16-të nga 44 pjesëmarrës dhe duke fituar çmimin më të mirë si kompozitor.
Në mars 2014 ai konkurroi në festivalin “Kënga ime” me këngët “Ç’po dremit liqeni i kaltër” dhe “Tropojani”.

Në maj të po atij viti mori pjesë në Top Fest 11 me këngën “Muzika e jetës sime”, duke arritur deri në finale dhe duke u vlerësuar me çmimin për garuesit më të mirë meshkuj.
Aktiviteti i tij vijoi edhe në vitet pasuese. Në dhjetor 2014 ai mori pjesë në Festivalin e 53-të në RTSH me këngën “Himn”.

Në tetor 2017 u rikthye në Kënga Magjike me këngën “Ndryshojmë”, ndërsa në dhjetor 2018 ishte pjesëmarrës si kantautor në Festivalin e 57-të në RTSH me këngën “Një Ditë Tjetër”.
Po atë muaj, më 23 dhjetor, publikoi bashkë me Era Rakipllarin videoklipin “Falim Dashuri”.
Gjatë gjithë karrierës së tij Gjergj Leka është dalluar për profesionalizmin, origjinalitetin dhe pasionin që ka sjellë në skenën muzikore shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si kompozitor, interpretues dhe promovues i talenteve të reja./k.m
