Një teknologji e re eksperimentale mund të hapë një rrugë të re në trajtimin e rënies së flokëve. Bëhet fjalë për një krehër të posaçëm, të quajtur “Detangle”, i cili përdor impulse elektrike për të stimuluar folikulat dhe për të ndihmuar në rigjenerimin e flokëve.
Pajisja është zhvilluar nga inxhinierë të Universitetit Beihang në Pekin dhe studimi është publikuar në revistën shkencore Nature Communications. Dhëmbët e krehrit janë të pajisur me elektroda mikroskopike dhe kapsula që përmbajnë substanca aktive. Gjatë përdorimit, ato krijojnë një fushë elektrike që depërton më thellë në folikulat e flokëve sesa elektrodat e vendosura në sipërfaqen e lëkurës.
Teknologjia synon të veprojë në dy drejtime: të nxisë prodhimin e VEGF-A, një faktor që ndihmon në formimin e enëve të reja të gjakut, dhe të pengojë aktivitetin e enzimës që kontribuon në prodhimin e DHT-së, hormonit që lidhet me tkurrjen e folikulave dhe tullacërinë mashkullore.
Në eksperimentet e kryera te minjtë me rënie të flokëve të shkaktuar në kushte laboratorike, pajisja u përdor një herë në tri ditë. Pas një muaji, zonat e prekura nga tullacëria shfaqën rigjenerim të flokëve në një nivel pothuajse 100%.
Studiuesit synojnë të adresojnë disa nga kufizimet e trajtimeve aktuale. Medikamentet që pengojnë DHT-në mund të shkaktojnë efekte anësore në organizëm, ndërsa preparatet lokale, si minoxidili, nuk arrijnë gjithmonë të depërtojnë mjaftueshëm në lëkurën e kokës.
Megjithatë, rezultatet janë ende në fazë eksperimentale. Deri tani, teknologjia është testuar vetëm te minjtë dhe nuk ka prova se do të japë të njëjtat rezultate te njerëzit. Reagimi i lëkurës së kokës dhe i sistemit hormonal mund të jetë i ndryshëm, ndaj nevojiten studime të mëtejshme përpara se krehri të mund të përdoret si një trajtim për rënien e flokëve./ad
