Ndotja e ujërave nuk po dëmton vetëm mjedisin, por po ndryshon edhe sjelljen e kafshëve. Një studim i ri ka zbuluar se në rajonin Huasteca të Meksikës, ndotja e rëndë e lumenjve po dëmton shqisën e nuhatjes së dy llojeve të peshqve, duke i bërë ata të mos dallojnë më partnerët e së njëjtës specie dhe të çiftëzohen mes tyre.
Studimi, i publikuar në revistën Current Biology dhe i realizuar nga një ekip i Universitetit të Stanfordit, analizoi katër lumenj në veri të Mexico City. Njëri prej tyre, që kalon pranë një zone të banuar me rreth 3 mijë banorë, rezultoi të ishte shumë më i ndotur se të tjerët për shkak të shkarkimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza. Analizat treguan nivele të larta të azotit, fosfateve dhe metaleve të rënda si bakri, plumbi dhe kadmiumi. Pikërisht në këtë lumë jetojnë dy specie peshqish të gjinisë Xiphophorus – X. birchmanni dhe X. malinche, të cilat po përjetojnë pasojat më të rënda.
Shkencëtarët zbuluan se femrat e të dy specieve kishin humbur qerpikët e nuhatjes, struktura mikroskopike që u mundësojnë të perceptojnë aromat dhe të identifikojnë partnerin për çiftëzim. Gjithashtu, hunda e tyre ishte e mbushur me qeliza që prodhojnë mukus, një gjendje e ngjashme me bllokimin e hundëve gjatë një të ftohure. Si pasojë, peshqit nuk arrijnë më të dallojnë individët e së njëjtës specie dhe çiftëzohen shpesh me specie të ndryshme, duke sjellë lindjen e një numri gjithnjë e më të madh peshqish hibridë. Sipas studiuesve, kjo është një dukuri shqetësuese. I njëjti ekip kishte treguar edhe në vitin 2024 se hibridizimi mes këtyre dy specieve mund të shkaktojë sëmundje të rënda, përfshirë melanomën dhe çrregullime metabolike që rezultojnë fatale.
Përveç rrezikut për shëndetin e peshqve, shkencëtarët paralajmërojnë se hibridizimi i vazhdueshëm mund të çojë në zhdukjen graduale të specieve origjinale, duke ulur biodiversitetin e ekosistemit dhe duke lënë në fund vetëm popullata hibride./ad
