Last Updated on 03/08/2026 by Anisa
PFAS, të njohura si “kimikatet e përjetshme” për shkak të rezistencës së tyre ndaj degradimit, janë ndër ndotësit më problematikë për mjedisin dhe shëndetin. Një studim i ri i publikuar në revistën PNAS propozon një metodë shumë më të lirë dhe më ekologjike për pastrimin e tokave bujqësore të kontaminuara.
Ndotja e tokës ndodh kryesisht përmes biosolideve, llumrave të prodhuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, të cilët përdoren si pleh natyral. PFAS nuk shpërbëhen gjatë procesit të trajtimit dhe përfundojnë në tokë, ku mund të kalojnë më pas te kulturat bujqësore.
Sipas studiuesve të Universiteti Yale, metodat aktuale të dekontaminimit kushtojnë nga 800 mijë deri në 1,6 milionë dollarë për hektar. Ndërsa teknika e re do të kushtonte rreth 29 mijë dollarë për hektar gjatë një periudhe trajtimi prej 20 vitesh.
Metoda përfshin fillimisht shpërndarjen në tokë të një shtrese të hollë shkëmbi alkalin të grimcuar, si bazalt ose gur gëlqeror, për të rritur pH-në e tokës dhe për t’i bërë PFAS më të përthithshme nga bimët. Më pas kultivohen specie si kërpi dhe disa barëra shumëvjeçare, të cilat kanë aftësinë të grumbullojnë shpejt këto ndotës.
Pas korrjes, biomasa i nënshtrohet pirolizës, një proces termik pa praninë e oksigjenit, për të prodhuar biochar. Ky material, kur rikthehet në tokë, ndihmon në bllokimin e PFAS të mbetura dhe ul kalimin e tyre te kulturat që mbillen më pas.
Edhe pse piroliza dhe transporti i biochar-it krijojnë emetime të gazeve serrë, studiuesit vlerësojnë se përdorimi i shkëmbinjve alkalinë kompenson këtë ndikim duke ndihmuar në thithjen e dioksidit të karbonit nga atmosfera. Sipas modelit të tyre, nëse kjo metodë zbatohet në shkallë kombëtare, mund të kontribuojë në sekuestrimin e rreth 10,5 milionë tonëve CO₂ çdo vit.
