Japonia po planifikon të dërgojë gjatë verës një delegacion në Groenlandë për të vlerësuar mundësitë e shfrytëzimit të depozitave të metaleve të rralla.
Delegacioni do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë së Japonisë, si dhe nga zyrtarë të JOGMEC dhe drejtues kompanish japoneze. Gjatë vizitës, ata pritet të zhvillojnë takime me zyrtarë të qeverisë lokale për të diskutuar potencialin e bashkëpunimit në sektorin minerar.
Interesi ndërkombëtar për Groenlandën është rritur ndjeshëm për shkak të pozicionit të saj strategjik në Arktik dhe rezervave të konsiderueshme të metaleve të rralla, të cilat janë thelbësore për prodhimin e teknologjive moderne, baterive, automjeteve elektrike dhe pajisjeve të avancuara elektronike.
Ishulli autonom, që i përket Danimarkës, u rikthye në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas rikthimit të Donald Trump si president në Shtëpinë e Bardhë.
Në janar, administrata amerikane bëri të ditur se Trump po shqyrtonte mënyra për të siguruar kontroll mbi Groenlandën, një ide që shkaktoi shqetësim te aleatët evropianë të SHBA-së në NATO. Më vonë, retorika për një veprim të mundshëm ushtarak u zëvendësua nga përpjekje diplomatike.
Vizita e planifikuar e delegacionit japonez konsiderohet një hap i rëndësishëm në garën globale për sigurimin e burimeve strategjike të metaleve të rralla, ndërsa Groenlanda vazhdon të tërheqë interesin e fuqive të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike. /kb
