Last Updated on 08/08/2025 by adminfjala
Një ngjarje tragjike që ka ndodhur në vetëm pak orë në Kalabri, por tashmë ka ndezur alarmet në të gjithë zinxhirin agro-ushqimor kombëtar në Itali.
Prokuroria e Paolës ka urdhëruar sekuestrimin urgjent, në shkallë kombëtare, të një produkti ushqimor të dyshuar për helmim: bëhet fjalë për kavanozë me brokoli në vaj, që mendohet se kanë shkaktuar një intoksikim të rëndë nga botulizmi në provincën e Cosenza-s.
Bilanci është i rëndë: një viktimë dhe nëntë persona të shtruar në spital, mes tyre edhe dy familjarë të viktimës. I ndjeri është Luigi Di Sarno, 52 vjeç, turist nga Cercola (Napoli), i cili po kalonte pushimet në Kalabri.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, pasi kishte shfaqur simptomat e para, Di Sarno ishte paraqitur në një klinikë private në Belvedere Marittimo, por më pas kishte vendosur të nisej vetë drejt shtëpisë me makinë. Gjatë udhëtimit, gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm dhe vdiq në afërsi të Lagonegro, me shumë gjasë si pasojë e veprimit të neurotoksinës së botulizmit.
Hetimet dhe sekuestrimi i produktit
Prokuroria, nën drejtimin e prokurorit Domenico Fiordalisi, ka hapur një hetim me dyshimet për “vrasje si pasojë e një krimi tjetër” dhe “tregtim i ushqimeve të dëmshme”. Autoritetet janë gjithashtu duke verifikuar mundësinë e përgjegjësisë mjekësore, lidhur me mënyrën se si u trajtua rasti në klinikën ku u paraqit viktima.
Ndërkohë, është vendosur bllokimi dhe tërheqja nga tregu i të gjitha kavanozëve me brokoli në vaj, në përpjekje për të parandaluar raste të tjera të mundshme të helmimit.
Në një njoftim zyrtar, Departamenti i Shëndetësisë i Rajonit Kalabri bëri me dije se është aktivizuar protokolli emergjent, në bashkëpunim me Qendrën Anthelmimit të Pavias, e vetmja në Itali e autorizuar për menaxhimin e rasteve të botulizmit.
Sipas ligjit, asnjë rajon dhe asnjë spital nuk ka të drejtën të ruajë antidotin në strukturat e veta, pasi ai shpërndahet vetëm nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Farmacisë Ushtarake dhe Qendrës së Pavias.
Aktualisht, Spitali “Annunziata” i Cosenza-s ka në dispozicion një rezervë të antidotit, një masë e jashtëzakonshme përballë situatës emergjente. m.p.
