Një grup grash aventuriere në të 60-at po planifikon këtë verë udhëtimin e jetës drejt disa parqeve kombëtare, por para nisjes po i rëndon një problem kombëtar: rritja e fortë e çmimeve të karburantit.
Shtatë gratë u njohën përmes ligës së tyre të softbollit në Delaware dhe donin të bënin një udhëtim së bashku. Por lufta në Iran po shkakton shtrëngim të furnizimit me naftë, duke shtuar vështirësitë për udhëtarët e verës, të cilët tashmë po ndiejnë presionin ekonomik nga inflacioni dhe kostoja e jetesës.
“Për shkak të çmimeve të karburantit, të gjitha po mendojmë: ‘Nuk mund ta bëjmë këtë’”, tha Peggy Connor, 66 vjeçe, nga Delaware.
Megjithatë, grupi ka vendosur të niset në gusht me tre rimorkio kampingu. Për ta bërë udhëtimin më të përballueshëm, ato kanë ndryshuar itinerarin, do të qëndrojnë së bashku në rimorkio dhe kanë zgjedhur rrugë që shmangin shtetet me çmime më të larta të karburantit. Një prej mikeshave të tyre, megjithatë, nuk arriti ta përballojë financiarisht udhëtimin.
Në të gjithë vendin, rritja e kostove të udhëtimit me makinë dhe avion po tkurr planet për pushimet verore dhe po i detyron konsumatorët të qëndrojnë më pranë shtëpisë. Sipas një raporti të ri të Expedia, udhëtimet brenda vendit po dominojnë planet e kësaj vere: 51% e të anketuarve në SHBA thanë se janë më të entuziazmuar për të vizituar një destinacion vendas këtë verë krahasuar me verën e kaluar.
“Udhëtimet e kësaj vere nuk po ngadalësohen, por po ndryshojnë formë”, tha Melanie Fish, zv.presidente për marrëdhëniet globale me publikun në Expedia.
Edhe faqja e udhëtimeve Going.com vlerëson se këtë verë po dominon mendësia e udhëtimeve “më pranë shtëpisë”, ndërsa një sondazh zbuloi se 45% e amerikanëve planifikojnë të udhëtojnë në distanca më të shkurtra dhe të shpenzojnë më pak se në vitet e mëparshme.
Connor dhe grupi i saj planifikojnë të vizitojnë Mount Rushmore, Badlands dhe Custer State Park, duke e përshtatur itinerarin gjatë rrugës sipas çmimeve të karburantit.
Ato kanë menduar gjithçka: nga zgjedhja e makinave që harxhojnë më pak me rimorkio, deri te pesha që mund të mbajnë në kthim dhe kostoja shtesë e karburantit.
Megjithatë, çmimet e larta nuk mund t’i shmangin plotësisht. Grupi hoqi nga plani udhëtimin në Utah për të parë Bryce Canyon dhe Zion National Park, sepse ishte “shumë i shtrenjtë”.
Prindërit po bëhen kreativë
Kimberly Lawson, një nënë nga lindja e Tennessee-s, e çoi djalin e saj në Orlando, Florida, sapo mbaroi shkolla. Çdo vit ata bëjnë një udhëtim në të njëjtën periudhë.
Këtë vit ajo kurseu duke gatuar për djalin 14-vjeçar në apartamentin ku po qëndronin. Ajo gjeti gjithashtu transport falas për të vizituar resortet lokale në Orlando, në vend që të përdorte makinën.
“Nëse ke fëmijë, sërish duhet të gjesh aktivitete për ta, gjëra që u pëlqejnë, pa kushtuar 50 dollarë ose më shumë për person në ditë”, tha Lawson. “Thjesht duhet të jesh më kreativ.”
Lawson vendosi të udhëtonte me makinën e saj për të kursyer te makina me qira dhe e mbushi atë me ushqime. Ajo kontrolloi edhe çmimet e biletave të avionit, por ishin mbi buxhetin e saj.
Sipas GasBuddy, karburanti ishte mesatarisht rreth 4.30 dollarë për gallon javën kur ajo shkoi në Orlando në maj. Aktualisht, çmimet kanë rënë dhe mesatarja në zonën e Orlandos është rreth 3.60 dollarë për gallon.
“Jam ende shumë e kujdesshme me buxhetin, por këtë vit edhe më shumë”, tha Lawson. “Donim të shkonim në Crystal Springs kur ishim në Orlando, si edhe në disa ecje dhe vende të tjera për të eksploruar, por nuk bëmë asnjërën prej tyre. Me çmimet e karburantit, as nuk e mora në konsideratë.”
Çdo kursim, sado i vogël, ndihmon
Disa udhëtarë patën fatin t’u paraprinin çmimeve të larta dhe të realizonin udhëtimet ndërkombëtare, duke planifikuar më herët.
Keith McAllister dhe familja e tij rezervuan një udhëtim nga Uashington DC drejt Kinës përpara se të niste lufta me Iranin, duke shmangur rritjen e çmimeve të biletave ajrore.
Më vonë, ai kontrolloi sa do të kushtonte i njëjti udhëtim në qershor dhe vetëm segmenti nga Aeroporti Ndërkombëtar i Los Anxhelosit drejt Pekinit ishte mbi 1,100 dollarë më i shtrenjtë se çmimi që kishte paguar.
McAllister ka përdorur Costco Travel dhe BJ’s Wholesale Club për të gjetur bileta avioni ose makina me qira. “Faqet agreguese të palëve të treta shpesh janë pak më të mira se mesatarja e tregut, por çdo kursim, sado i vogël, ndihmon”, tha ai.
Ai po llogarit kostot për një udhëtim në Bregun Perëndimor, për të vizituar familjen në Las Vegas dhe San Francisco, por ende po vendos nëse do ta përfshijë fare San Francisco-n në itinerar.
Ai po përballet edhe me çmime të larta për makinat me qira: një Toyota Corolla kushton rreth 200 dollarë në ditë. Po shqyrton edhe mundësinë e marrjes së një makine përmes platformës Turo, por vendimi do të varet nga çmimi.
Ted Rossman, analist kryesor në Bankrate, një faqe për financat personale, tha se njerëzit po bëjnë shkurtime ku munden këtë verë, por ende po udhëtojnë.
Disa linja ajrore amerikane kanë raportuar kërkesë të qëndrueshme për udhëtime, pavarësisht rritjes së çmimeve të biletave.
Rossman shtoi se zakonisht bien shitjet për gjëra si rinovimet e shtëpive, mobiliet apo pajisjet elektronike.
Sipas tij, kërkesa për mallra fizike nuk ka qenë aq e fortë vitet e fundit, por njerëzit vijojnë t’u japin përparësi përvojave.
“Mund të jeni ende duke udhëtuar, thjesht po udhëtoni ndryshe nga viti i kaluar”, tha ai./ CNN-ad
