North West po hyn në botën e biznesit që në moshën 12-vjeçare, me plane konkrete për të lançuar markën e saj të veshjeve dhe bizhuterive. Nëna e saj, Kim Kardashian, ka paraqitur kërkesë për regjistrimin e markës tregtare “NOR11”, duke sinjalizuar nisjen e kompanisë së parë të North.
Sipas dokumenteve të siguruara nga The Sun, janë paraqitur tre aplikime të ndara për “NOR11”, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë produktesh. Ato përfshijnë veshje dhe aksesorë si fustane, këpucë, kapele dhe çorape, si dhe orë dore dhe bizhuteri — përfshirë byzylykë, gjerdanë, vathë dhe unaza. Një aplikim i tretë lidhet me çanta, portofole dhe kuti kozmetike, duke lënë të kuptohet se marka synon të jetë një linjë e plotë lifestyle dhe jo vetëm një koleksion i vogël.
Emri “NOR11” duket të jetë një kombinim i tre shkronjave të para të emrit të North me moshën që ajo kishte kur lindi ideja. Aplikimet janë dorëzuar në emër të kompanisë KimYe’s Kid Inc., e themeluar në Kaliforni në gusht 2023.
Megjithëse emri i kompanisë i referohet si Kim Kardashian ashtu edhe ish-bashkëshortit të saj Kanye West, dokumentet zyrtare e listojnë Kim-in si drejtuese të vetme të projektit, duke treguar se ajo po mbikëqyr nga afër sipërmarrjen.
Adresa e zyrës së regjistruar lidhet me menaxherin e hershëm të biznesit të Kim-it, Lou Taylor, i njohur edhe për menaxhimin e karrierës së Britney Spears, çka sugjeron një planifikim serioz komercial pas projektit.
Në dhjetor, North publikoi foto me miqtë e saj të veshur me kapele të zeza me logon “NOR11”, të cilat duket se kanë shërbyer si një prezantim i hershëm i markës së ardhshme./mxh
