Last Updated on 09/09/2026 by EL
Norvegjia i ka dhënë lamtumirën e fundit Mbretit Harald V, një prej figurave më të dashura dhe bashkuese të vendit. Ceremonia mortore është zhvilluar në Oslo, në prani të familjes mbretërore norvegjeze, familjeve mbretërore europiane, krerëve të shteteve dhe personaliteteve të shumta ndërkombëtare.
Harald V, i cili ndërroi jetë më 28 gusht në moshën 89-vjeçare, u përcoll në një kortezh madhështor përgjatë bulevardit kryesor të Oslos drejt Katedrales Luterane. Arkivoli i tij u transportua mbi një karrocë artilerie, ndërsa familja mbretërore, e udhëhequr nga mbreti i ri Haakon VIII, si dhe të ftuarit e huaj, e ndoqën kortezhin në këmbë.
Në ceremoninë mortore morën pjesë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Princi William i Britanisë, çifti mbretëror spanjoll, presidentët e Finlandës, Gjermanisë dhe Republikës Çeke, si dhe kryeministrat e Francës dhe Tajlandës.
Vetëm Mbretëresha Sonja, 89 vjeçe, dhe Mbretëresha e re Mette-Marit e ndoqën kortezhin me makinë.
Pas ceremonisë fetare, katër avionë luftarakë F-35 do të fluturojnë mbi katedrale në një formacion “missing man”, ndërsa arkivoli do të dërgohet në kapelën e Kalasë Akershus, ku do të vendoset në kriptën e mauzoleumit mbretëror, pranë prindërve dhe gjyshërve të Harald.
Harald do të prehet në një sarkofag me vlerë rreth 2 milionë dollarë, ndërsa dizajni i tij është mbajtur sekret.
Masa të larta sigurie
Për ceremoninë janë angazhuar rreth 3,000 efektivë policie dhe 3,500 ushtarë, në një prej operacioneve më të mëdha të sigurisë në historinë e Norvegjisë. Janë vendosur gjithashtu kufizime të jashtëzakonshme të hapësirës ajrore në pjesën lindore të vendit.
Harald V u ngjit në fron në vitin 1991 dhe deri në vdekjen e tij ishte monarku më i vjetër në detyrë në Europë. Pavarësisht problemeve shëndetësore në vitet e fundit, ai kishte përjashtuar gjithmonë mundësinë e abdikimit.
Për norvegjezët, Harald u bë simbol i një Norvegjie të hapur dhe tolerante. Në një fjalim në vitin 2016, ai theksoi rëndësinë e diversitetit dhe përfshirjes.
Mijëra qytetarë kanë kaluar gjatë ditëve të fundit pranë arkivolit të tij për t’i bërë homazhet e fundit. Sheshi përpara pallatit mbretëror është mbushur me lule, qirinj dhe vizatime.
“Ai ishte gjyshi i kombit”, tha 81-vjeçarja Gunn Johnsen, e cila udhëtoi për një orë me tren për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Vdekja e Harald duket se ka forcuar edhe mbështetjen për monarkinë. Rreth 72% e norvegjezëve deklaruan se e mbështesin monarkinë në një sondazh të publikuar pas vdekjes së tij, tetë pikë përqindje më shumë se në maj./et
