Qeveria e Norvegjisë ka vendosur të kufizojë ndjeshëm përdorimin e mjeteve të Inteligjencës Artificiale nga nxënësit, veçanërisht në arsimin fillor, me qëllim mbrojtjen e procesit të të nxënit dhe përmirësimin e rezultateve në shkollë.
Kryeministri Jonas Gahr Store deklaroi se nxënësit e moshës 6 deri në 13 vjeç, që ndjekin arsimin fillor, nuk do të lejohen të përdorin mjete të Inteligjencës Artificiale.
Sipas tij, ekziston rreziku që fëmijët të anashkalojnë etapa të rëndësishme të mësimit nëse mbështeten te teknologjia.
“Gjëja më e rëndësishme në shkollë është që fëmijët të mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të zgjidhin ushtrime matematike”, theksoi Store gjatë një konference për shtyp.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi me fillimin e vitit të ri shkollor në fund të muajit gusht. Për nxënësit e moshës 14 deri në 16 vjeç, përdorimi i Inteligjencës Artificiale do të lejohet vetëm me kujdes dhe nën mbikëqyrjen e mësuesve.
Ndërsa të rinjtë nga 17 deri në 19 vjeç do të mësojnë ta përdorin teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme, si përgatitje për studimet e larta dhe tregun e punës.
Vendimi vjen pas shqetësimeve për rënien e rezultateve në testet arsimore. Në vitin 2024, Norvegjia ndaloi përdorimin e telefonave inteligjentë në shkolla dhe forcoi kompetencat e mësuesve për të ruajtur disiplinën në klasa.
Po ashtu, qeveria norvegjeze njoftoi se do të propozojë një ligj për rikthimin e përdorimit më të gjerë të librave në shkolla, duke reduktuar varësinë nga tabletët dhe pajisjet digjitale që janë përdorur gjerësisht gjatë viteve të fundit.
Në muajin prill, autoritetet norvegjeze prezantuan gjithashtu plane për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, si pjesë e një strategjie më të gjerë për mbrojtjen e të rinjve nga ndikimet e tepërta të teknologjisë./mxh
