Last Updated on 03/09/2026 by Anisa
Norvegjia ka sekuestruar një anije ruse në Arktik, në kuadër të përpjekjeve për ekzekutimin e një vendimi për kompensim prej 4.22 miliardë dollarësh, të fituar nga kompania ukrainase e energjisë Naftogaz për sekuestrimin e aseteve të saj nga Moska, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Anija “Professor Molchanov” u sekuestrua pranë arkipelagut norvegjez të Svalbardit në Arktik, pas një përballjeje 24-orëshe me Rojën Bregdetare të Norvegjisë, sipas Covington, studios ligjore amerikane që përfaqëson Naftogaz.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS citoi një zëdhënës të Ministrisë së Jashtme ruse, i cili e cilësoi veprimin e Norvegjisë si “pirateri”.
Naftogaz ka ndërmarrë veprime ligjore kundër Rusisë që prej vitit 2016, duke kërkuar kompensim për shpronësimin e pronave të saj në Krime.
Në prill të vitit 2023, një tribunal në Hagë urdhëroi Rusinë t’i paguante Naftogaz 4.22 miliardë dollarë, së bashku me interesat dhe kostot ligjore. Megjithatë, Moska nuk e ka zbatuar vendimin.
“Rusia nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë thjesht duke refuzuar të zbatojë një vendim arbitrazhi ndërkombëtar”, deklaroi drejtori i përkohshëm ekzekutiv i Naftogaz, Sergii Fedorenko.
Studio ligjore Covington tha se kishte ndjekur prej muajsh lëvizjet e “Professor Molchanov”, një anije në pronësi ruse që përdoret për lundrime turistike komerciale.
Duke parashikuar mbërritjen e anijes në Svalbard, gjatë rrugës drejt Barentsburgut, një vendbanim minerar rus, avokatët e Naftogaz iu drejtuan një gjykate norvegjeze duke kërkuar sekuestrimin e anijes dhe më pas shitjen e saj të detyruar.
Kërkesa u miratua të hënën nga Gjykata e Qarkut Nord-Troms dhe Senja. Në vendimin e saj, gjykata i kërkoi guvernatorit të Svalbardit të zbatonte urdhrin, të mbikëqyrte anijen dhe të garantonte që ajo të mos largohej.
Zyra e guvernatorit konfirmoi përmes një deklarate se anija ishte sekuestruar dhe se do të mbahej në Svalbard.
Naftogaz ka bërë të ditur se po koordinon masa për ekzekutimin e vendimit në disa juridiksione, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Finlandën, ku janë ngrirë asete ruse.
Rusia po e kundërshton këtë proces, duke argumentuar se nuk është njoftuar për procedurat.
“Do të vazhdojmë të ndjekim asetet ruse në mbarë botën derisa kompensimi që i është akorduar Naftogaz dhe kompanive të tjera të Grupit Naftogaz të paguhet”, deklaroi kompania ukrainase./REUTERS-ad
